15:15 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Haradinaj për pushtetin: Nëse e bindin botën se drejtësia s’është e pavarur, si presin t’ia ekstradojnë Radoiçiqin

Haradinaj për pushtetin: Nëse e bindin botën se drejtësia s’është e pavarur, si presin t’ia ekstradojnë Radoiçiqin

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas një deklarate të deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili tha Prokuroria në Kosovë është e kapur nga opozita.

Haradinaj thotë se ky pushtet është “i çuditshëm” meqë si kusht të dialogut e ka vendosur ekstradimin e autorit të sulmit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq, ndërsa i gjithë pushteti thotë se drejtësia e Kosovës nuk është e pavarur.

“Qysh ta kuptojmë logjikën e këtij pushteti? Ka vendosur kusht të dialogut ekstradimin e Radojçiqit drejtësisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë prej Kryeministrit, te Ministrja e Drejtësisë e tek deputetët e VV-së, krejt çka dëgjojmë është se drejtësia e Kosovës nuk është e pavarur. Dëgjojmë nga ata se opozita e kontrollon Prokurorinë, se gjyqtarët dhe prokurorët janë të kapur dhe vendimet e drejtësisë në vazhdimësi janë subjekt i interpretimeve politike të pushtetit. Nëse e bindin botën se drejtësia nuk është e pavarur, si mendojnë se dikush do t’ua ekstradojë Radojçiqin? Apo e kanë këtë kërkesë vetëm për konsum të brendshëm elektoral?”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thotë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti e kundërshtojnë njëra-tjetrën kur Kosovën e quan vendin më demokratik në rajon, ndërsa në të njëjtën kohë sulmojnë organet e drejtësisë.

“Paradite thotë Kurti se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite ai dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë dhe bëjnë përpjekje të hapur për ndërhyrje te gjyqësori. Kjo lidhje me shtet demokratik nuk ka. Përnjëmend, pushtet i çuditshëm!”./Express/