Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kanë shqetësime për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithatë theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Haradinaj ka thënë për KosovaPress, se nëse në të njëjtën kohë nuk vjen edhe anëtarësimi në NATO, vendi ynë mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë.
Pas takimit me Lajçakun jam deklaruar se kemi shqetësime në dokument dhe do t’i shqyrtojmë këto shqetësime dhe besoj që dokumenti i tillë është shqetësues për Kosovën dhe nëse në të njëjtën kohë nuk vjen njohja veriore për anëtarësim në NATO, Kosova mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë”, u shpreh Haradianaj.
Kryetari i AAK-së theksoi se garancinë për draft-statutin duhet ta jap Gjykata Kushtetuese për shkak se ka ndërhyrje në rendin kushtetues.
“Po mendoj që garancinë duhet të jap Gjykata Kushtetuese, vetëm ajo duhet të sqarojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit, e ne kemi shqetësime se ka ndërhyrje në rendin kushtetues të Kosovës. Kosova duhet t’i kthehet vetes më shumë qeverisjes, zhvillimit ekonomik , është viti kur rrezikohemi me ik shumë të rinjtë dhe duhet t’i kthehemi partnerëve, aleatëve, sigurisë, Amerikës dhe BE-së”, tha Haradinaj.
Përndryshe, qëndrimi i Haradinajt vjen pasi kryesia e kësaj partie ditë më parë ka shqyrtuar draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është propozuar nga pesëshja evropiane.
/TV Arbëria