Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideron të pranueshëm planin e njohur si franko-gjerman dhe sipas tij ka konfirmim nga amerikanët që kjo marrëveshje i hap rrugë Kosovës drejt NATO-s.
Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për procesin e dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se është e rëndësishme që ecja me marrëveshjen në bazë të planit franko-gjerman është e rëndësishme të ndodh tani.
Haradinaj: Kemi konfirmim nga amerikanët që do të përkrahemi në rrugëtimin drejt NATO-s
“Pse po mendoj që ecja me marrëveshjen në bazë të planit franko-gjerman ka rëndësi të ndodh tash, pse është ky pozicion i tillë dhe pse nuk e përziej këtë plan, këtë marrëveshje me Kurtin apo një Kurti tjetër, dhe nuk ka me ma zënë rrugën asnjë Kurt, asnjë qeveri, kur është interesi i vendit tënd, i popullit tënd, i shtetit tënd, pse pra, kemi konfirmim direkt, dhe nuk besoj që është dikush në këtë sallë që nuk e ka marrë atë konfirmim që i ka interesua tema, që menjëherë me këtë marrëveshje, konfirmimi ne kemi prej atyre që nuk japin fjalë që nuk e kanë njet me i mbajt, prej Amerikës, prej amerikanëve, e kemi kundrimin që do të përkrahemi për partneritet për Paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s që është një proces deri të ftesa për anëtarësim”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se për aleancën për Ardhmërinë e Kosovës plani evropian është i pranueshëm.
Haradinaj: Për AAK-në plani franko-gjerman është i pranueshëm
“Sa më përket mua, duke ditur pasojat që i kemi në shtrirjen se në zgjerimin ose në përmbylljen e një procesi të rendit dhe ligjit edhe në veri, ju siguroj që ajo arrihet me garancë më të madhe në rast të partneriteti për paqe ose rrugëtimit tonë, ose ftesës, ose mirëpritjes sonë për anëtarësim në NATO. Kjo është arsyeja kryesore që për mua plani franko gjerman është i pranueshëm, përkrahet prej meje, përkrahet prej Aleancës, ka të bëjë me kompetenten kryesore të ekzistencës tonë ecjen drejt NATO-s“, ka shtuar ai.
Me këtë marrëveshje, Haradinaj ka thënë se duhet pasur guxim të shpallet mbyllja e dialogut.
Haradinaj: Kjo marrëveshje me Serbinë duhet të jetë finale
“Ajo që për mua besoj është me rëndësi është që në këtë marrëveshje me Serbinë kësaj here Kosova jo ta kthejë vetën në palën humbëse, dhe jo ta vlerësojë vetën si pala që nuk ka kryer punë, unë besoj që ne duhet të sillemi ndryshe, për ne kjo është finale, për ne kjo është marrëveshja finale me Serbinë nuk do të ketë më ndonjë marrëveshje me Serbinë. Nëse Serbisë i duhet njohja jonë kur afrohet me u anëtarësua në OKB e shqyrtojmë nëse jemi këtu, por që të thuhet se ka edhe një marrëveshje edhe një dialog këtu gabojmë ju siguroj. E di që sot shumica jonë, me skepticizmin tonë dëshirojmë me pranua një realitet të cilin e kemi jetuar deri tash, se dialogu ka qenë i pafund dhe shpesh i pa krye, unë nuk besoj që është kështu, besoj që kjo është ndarja finale me Serbinë, kjo marrëveshja, kjo është një shkencë e aleatëve tanë“, ka thënë ai.
/TV Arbëria