Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë ekskluzive në TV Arbëria ka deklaruar se kryeministri i vendit Albin Kurti po e kryen me sukses detyrën e tij si agjent i Rusisë.
Haradinaj përballë gazetarit dhe moderatorit Rid Berisha tha se pikërisht këtë ka pasur dëshirë ta shoh Serbia dhe sponsori i saj Rusia.
“Fatkeqësisht Kurti po e kryen me sukses detyrën e tij si agjent i Rusisë, lufta hibride. Përkrahësit e këtij njeriu që e fyejnë një autoritet të Amerikës ata janë në agjendë ruse. Këtë ka pas qef me pa Serbia dhe sponsori i saj Rusia që ne me i përkeqësu marrëdhëniet me Amerikën”, tha ish-kryeministri.
Më tej Haradinaj theksoi se dihen se cilat do të jenë pasojat në rast të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-të, e që sipas tij, tashmë këto pasoja kanë nisë të ndjehen në vendin tonë.
“Dihen pasojat kur i përkeqëson veç i ndjejmë ne si Kosovë tash për shkak të përkeqësimit me administratën Biden. Mirëpo kjo që do të vjen në të ardhmen është krejt tjetër, kjo administratë po them edhe një herë merr vendime”, shtoi Haradinaj në emisionin “ARB Debat”./TV Arbëria./