Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova synon të kthehet në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale përmes angazhimit aktiv si anëtare e NATO-së.
Kështu ka thënë Haradinaj në 25-vjetorin e hyrjes në NATO të Çekisë, në ekspozitën fotografike të organizuar nga Ambasada çeke në Kosovë.
“25 vjet më parë, më 12 mars, Çekia bashkë me Poloninë dhe Hungarinë u bënë vendet e para nga ish Pakti i Varshavës që u bashkuan me NATO-n. Kjo ngjarje ndryshoi rrjedhën e historisë, si për Çekinë ashtu edhe për NATO-n. 12 ditë pas anëtarësimit, këto shtete i’u bashkuan shteteve demokratike në krye me Amerikën në fushatën 78 ditore të bombardimeve mbi caqet serbe për t’i dhënë fund regjimit kriminal të Millosheviqit.
Sot pata nderin t’i bashkohem Ambasadorit Çek, Bohumil Mazànek ne ceremoninë e hapjes së ekspozitës fotografike “Njëzet e pesë vitet e Republikës Çeke në NATO””, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Kosova synon të jetë ofruese e sigurisë rajonale dhe globale duke qenë anëtare e NATO-së.
“Si Kosovë duhet të synojmë që të kthehemi në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit aktiv, si anëtar krah për krah me ushtritë e shteteve të NATO-s udhëhequr nga Amerika”, është shprehur Haradinaj.
/TV Arbëria