Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, ish-të burgosurit politik dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pajazit Zymeri.
Në një postim në Facebook, Haradinaj e përshkroi Zymerin si një burim frymëzimi për shumë breza në rrugën drejt lirisë dhe si një veprimtar të palodhur në shërbim të kauzës kombëtare.
“Baca Pajazit ka qenë një model i përkushtimit në luftën për liri, që nisi me veprimtarinë ilegale bashkë me heronjtë e çështjes kombëtare si Kadri Zeka. Zëri i tij ka vazhduar të dëgjohet edhe nga emigracioni, gjithmonë i angazhuar në mbrojtje të idealit tonë kombëtar,” theksoi Haradinaj.
Ai kujtoi më tej angazhimin e Zymerit në radhët e UÇK-së, duke e përshkruar atë si një njeri të dashur, mikpritës dhe human, që do të mbahet mend përgjithmonë.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zymeri, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të në shërbim të idealit kombëtar. U prehsh në paqe, baca Pajazit!”, përfundoi kreu i AAK-së në reagimin e tij.