Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se është në komunikim me liderët e partive opozitare për zgjedhjet komunale dhe ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim edhe me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), aty ku AAK nuk është në garë.
“Jemi të hapur për të diskutuar situatën me komunat e tjera ku ne nuk jemi në garë. Kam zhvilluar komunikim me kryetarët e partive opozitare, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, të shohim si do të bashkëpunojmë. Kemi një traditë që edhe degët marrin vendime, dhe ajo traditë vazhdon,” tha Haradinaj për IndeksOnline.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet në nivel komunal janë çështje që i trajtojnë me fleksibilitet dhe sipas realitetit lokal. “Në rast se dega ka interes ose qëllim një partneritet me VV-në në nivel komunal, ne nuk e prishim,” u shpreh ai.
Haradinaj përkujtoi se në të kaluarën AAK ka bashkëqeverisur me VV-në në komuna si Kamenica dhe Podujeva, dhe theksoi se kjo lloj qasjeje është respektuar vazhdimisht. “Aty ku nuk garojmë njëri kundër tjetrit ka interes me bashkëpunu nga të gjithë, nga unë dhe kryetarët e respektuar,” tha ai.
Ai gjithashtu mohoi çdo aludim se AAK mund të jetë faktor që i siguron fitoren VV-së në disa komuna. “Nuk jemi shkaktar të fitores së VV-së, VV-ja ka fituar vet. Kryetarët kanë fituar vetë. Nuk e ndryshojmë gjendjen, nuk jemi ata që ia japim fitoren VV-së në këtë rast,” shtoi Haradinaj.