Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se ndërhyrja ndodhi një natë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si vendim politik.

“Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se protestuesit kishin dalë në rrugë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe jo për të kërkuar diçka të jashtëligjshme.

“E qeveria që i merr pagat prej taksave të këtyre njerëzve”, është shprehur ai, duke kritikuar mënyrën se si u trajtuan protestuesit.

Haradinaj ka thënë se e respekton Policinë dhe pjesëtarët e saj, por ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ndërhyrje të urdhëruar politikisht.

“Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, ka deklaruar ai.