Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Haradinaj apel Kurtit: Të veprojë menjëherë me implementimin e marrëveshjes

Haradinaj apel Kurtit: Të veprojë menjëherë me implementimin e marrëveshjes

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë eksperimente me obligimet që ka marrë nga marrëveshja e njohur franko-gjermane.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të vonohet në implementimin e saj, meqë sipas tij, humbja e kohës do të thellonte pasojat që veçse ekzistojnë në Kosovë.

Kryetari i AAK-së, në një konferencë për media, ka kërkuar nga Kurti që të jetë serioz në këtë çështje.

Haradinaj: I bëjmë apel Kurtit që veprojë me implementimin e marrëveshjes

“Situata është jashtëzakonisht serioze, qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë eksperimente me obligimet që ka marrë për të implementuar marrëveshjen e njohur si franko gjermane, por që është amerikane. Besoj se improvizimet në implementim do t’i thellojnë edhe më shumë pasojat që tashëm i ndjejmë si Kosovë, pra izolimin tonë, agjendën ndërkombëtare, po ashtu në planin e sigurisë do të shkaktojnë pasoja, e veçanërisht në gjendjen e krijuar në veri të vendit. Pra i bëjmë apel Kurtit dhe qeverisë, që të jenë serioz, të mos humbin kohë dhe të mos bëjnë eksperimentime por të veprojnë menjëherë me implementim të marrëveshjes në bazë të obligimeve që ka marrë Kosova”, ka thënë Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje të gjithëve që ta ndajnë vlerësimin për qeverisjen dhe për Kurtin nga obligimet që ka marrë Kosova në bazë të planit të njohur si franko-gjerman.

Haradinaj: Ne ndajmë vlerësimin tonë për Kurtin si mashtrues

“Ne ndajmë qeverisjen Kurti, vlerësimin tonë për Kurtin, pra si mashtrues, e kemi mbajtur një qëndrim konsistent gjatë gjithë kohës vlerësimin tonë për qeverisjen Kurti, propozimin franko gjerman që është edhe amerikan ne e përkrahim… Pra u bëjmë thirrje të gjithëve në Kosovë që ta ndajmë vlerësimin për qeverisjen dhe për Kurtin nga obligimet që ka marrë Kosova në bazë të planit të njohur si franko gjerman që është amerikan”, ka thënë Haradinaj.

/TV Arbëria

Powered by WordPress