Kohëve të fundit është përfolur se do të hapet Ura e Ibrit në Mitrovicë, raporton TV Arbëria.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, para disa ditësh ka paralajmëruar se ura e Ibrit do të hapet “shumë shpejt’.
Pas këtij paralajmërimi kanë reaguar Bashkimi Evropian dhe KFOR-i.
Nga BE-ja kanë thënë se hapja e urës së Ibrit është temë e cila i përket dialogut dhe çdo vendim që lidhet me të duhet të diskutohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, reagim tjetër ka ardhur edhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.
Ky mision ka bërë thirrje që çdo vendim për urën mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në lidhje me këtë çështje, për TV Arbëria ka folur analisti politik Fidan Ukaj.
Ai ka deklaruar se me hapjen e urës së Ibrit bëhet bashkimi i qytetarëve, që është një nga parimet BE-së.
“Hapja e urës bashkon njerëzit e një nga parimet bazë të BE-së është shkrirja e kufijve dhe bashkimi i njerëzve duke ua mundësuar lëvizjen e lirë”, është shprehur ai.
Tutje, Ukaj ka theksuar se përkundër parimit bazë të Bashkimit Evropian të cekur më lartë, ajo është duke vepruar të kundërtën e frymës Evropiane.
“Në rastin konkret BE-ja është duke vepruar të kundërtën e frymës Evropiane”, shtoi Ukaj.
Sipas analistit politik, ura e Ibrit duhet të hapet dhe të garantohet lëvizja e lirë.
“Ura e Ibrit duhet të hapet e duhet të garantohet lëvizja e lirë”, deklaroi Ukaj për TV Arbëria.