Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës që vendos masa sigurie për tre efektivë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Vendimi për masat e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë erdhi pas një hetimi të nisur pas një kallëzimi penal nga një qytetar. Nga hetimet rezultoi se më 8 mars 2024, ndërsa kryenin detyrën e tyre në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, këta efektivë ndaluan një automjet dhe gjatë ndërhyrjes së tyre përdorën armën e shërbimit në mënyrë të pajustifikueshme, duke rrezikuar jetën e dy personave që ndodheshin në automjet.
Pas incidentit, jo vetëm që ngjarja nuk u raportua tek eprorët, por policët në fjalë dyshohet se tentuan të fshehin provat dhe faktet që lidhen me të.
Bëhet fjalë për:
-Inspektor R. B., 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;
-Inspektor Elton Dokollari, 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-Inspektor Florian Zeneli , 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.