Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza, ka treguar se mesazhi që ka marrë ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, raporton TV Arbëria.
Hamza përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar për vizitën e tij në SHBA, i cili thekson se janë pajtuar që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE.
Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm.