Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Hamza: Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është temë tjetër

Hamza: Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është temë tjetër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka ftuar në takim mbledhje Grupin Parlamentar të kësaj partie për t’i njoftuar mbi takimin e djeshëm mes tij dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Para gazetarëve, Hamza tha se qëndrimi i PDK-së nuk është vetëm për ta sepse sipas tij, UÇK është përtej çdo subjekti politik.

Sipas tij, Kosova është më e madhe se gjithçka.

“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është  kjo nuk është për PDK-në. Sepse UÇK është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po thoshim: me u aprovu ligji në të dyja leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti e me i shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është send tjetër”, tha Hamza.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu para mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe të Kryesisë tha se PDK asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore.

Musliu u shpreh se po mundohen të bëjnë më të mirë për Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën as sot. Jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën. Në rrethanat të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën, prandaj në vazhdën e angazhimit tonë kemi dhe takimin e sotëm”, tha Musliu.

Ajo u shpreh se pas takimit do të tregoj se çka u diskutua në detaje dhe theksoi se çështja që nuk pret është ligji për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dje është takuar me kreun e VV-së, Albin Kurti, por që nuk ka rezultuar me një marrëveshje.

Krahas çështjes së presidentit, PDK-ja po insiston që deri më 6 tetor të miratohet në dy leximet në Kuvendin e Kosovës edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen i proceduar nga qeveria të premten.

Ndërkohë, në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor./KP