Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hamza mbush sallat, Abdixhiku odat dhe sallonet: PDK-ja dhe LDK-ja intensifikojnë parafushatën

Hamza mbush sallat, Abdixhiku odat dhe sallonet: PDK-ja dhe LDK-ja intensifikojnë parafushatën

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë intensifikuar aktivitetet e tyre elektorale. Kandidatët e tyre për kryeministër po ndjekin metoda të ndryshme për të takuar qytetarët nëpër qytete dhe fshatrat të ndryshme të Kosovës.

Derisa Bedri Hamza ka zgjedhur takimet me qytetarët nëpër salla të mëdha, Lumir Abdixhiku po ndjek një parafushtë më ndryshe. Ai është fokusuar në takimet e qytetarëve në grupe më të vogla, duke i takuar ata drejtpërdrejtë në oda e shtëpi nëpër qytete dhe fshatra.

Ajo që po vërehet nëpër këto takime është pjesëmarrja e madhe e qytetarëve.

Në këto takime me qytetarë, Hamza dhe Abdixhiku po prezantojnë pjesë nga programi i tyre politik, me të cilin do të garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, vetëm në javën që e lamë pas ka mbajtur 9 takime nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Takimin e fundit, e ka mbajtur dje në qytetin e Gjilanit.

Para përkrahësve të PDK-së, ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër.

Me frymë pozitive e plot entuziazëm ishte mbrëmja e djeshme në Gjilan. Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk janë qëllimi, por rruga e vetme për realizimin e programit dhe ëndrrës së përbashkët për vendin tonë. Kësaj ëndrre do t’i japim jetë me punë të pandalshme për të mirën e fëmijëve, grave e burrave, të rinjve e të moshuarve. Për të mirën e Kosovës!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.

Ndër takimet me ta mëdha ka qenë ai në Mitrovicë, ku Hamza qeverisë në këtë mandat.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka vlerësuar se Mitrovica duhet të bashkohet për të ia sjell Kosovës një qeveri tjetër.

Mitrovica nuk i bashkon vetëm zemrat tona, por na bashkoi edhe neve. Sonte ishim aq shumë, saqë as salla nuk na zuri. Vite më parë u bashkuam që ta bëjmë Mitrovicën më të mirë. U bashkuam që Mitrovicën t’ia rikthejmë qytetarëve dhe t’ia rikthejmë asaj identitetin e kampionit të shumëfishtë, në sport, në kulturë, në realizimin e projekteve. E bëmë. Tash po bashkohemi për Kosovën!Ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen e madhe!”, ka shkruar Hamza.

Vetëm në javën e fundit, takime të tilla Hamza ka mbajtur në Podujevë, Suharekë, Dragash, Shtime, Istog dhe Pejë.

Në të njëjtën kohë, edhe kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku, ka vazhduar aktivitet e tij elektorale.

Javën që e lamë pas, ai ka vazhduar takimet derë me derë, duke shkuar në qytete dhe fshatra të ndryshme të Kosovës.

Takimin e fundit të këtij formati, i pari i LDK-së e ka mbajtur në Deçan.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këto takime po e ndien se durimit të qytetarëve me qeverinë aktuale po i vije fundit.

Kullat e odat e bukura të Deçanit, të pasura me histori e tregime të shumta, u hapën për ne në takimet e sontme në Strellc e në Drenoc. Në mesin e shumë qytetarëve të përkushtuar e punëtorë biseduam për të njëjtat shqetësime e sfida që po i dëgjojmë çdo ditë gjithandej nëpër Kosovë. Familje dhe qytetarë që, përkundër vështirësive të shumta, mbajnë gjallë shpresën për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë. Në çdo bisedë e dorështrëngim, po e ndiejmë se durimit të qytetarëve po i vjen fundi, dhe ata po presin zgjidhje konkrete për problemet që po i rëndojnë. Ata duan rrugë të sigurta, ekonomi të fortë dhe jetë me mirëqenie e dinjitet. Ata e dijnë se këto zgjidhje i ofron vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, si forca e vetme politike në vend që e ka edhe vizionin edhe programin për një të ardhme më të mirë. Pikërisht për këtë qëndroj unë dhe ekipi im”, ka shkruar Abdixhiku.

Takime të tilla ai ka mbajtur edhe në qytetin e Rahovecit dhe në disa fshatra të kësaj komune.

Gjatë javës së kaluar, takim të këtij formati ka mbajtur edhe në Komunën e Vushtrrisë.

Ndërsa para dy dite, Abdixhiku ka pasur edhe një takim të madh me Forumin Rinor në Gjilan.

Sonte në Gjilan, në organizimin e Forumit Rinor në këtë qytet, aty ku energjia rinore ishte burim frymëzimi e vendosmërie për ndryshimin e madh që do ta bëjmë bashkë. E ardhmja nuk pritet! Ajo bëhet. Dhe bëhet duke ndryshuar të tashmen me rininë e shkëlqyeshme që ka Kosova! Kjo rini kosovare meriton perspektivë, meriton mundësi; meriton vende pune, jetë të mirë e të ardhme të dinjitetshme në Kosovë – në atdheun e tyre e në shtetin që do ta bëjnë! Këtë do t’ua ofrojmë! Lidhja jonë është e fuqishme dhe është e pandalshme. Koha jonë ka ardhur, e me të dhe vet ndryshimi!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Themes by WordPress