Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Hamza dhe Abdixhiku janë takuar mbrëmë larg syve të publikut, një ditë pas shpalljes së rezultateve

Hamza dhe Abdixhiku janë takuar mbrëmë larg syve të publikut, një ditë pas shpalljes së rezultateve

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku janë takuar mbrëmë, bëjnë të ditur burime të Gazetës Express.

Takimi është mbajtur larg syrit të publikut.

PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe AAK-ja, e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeveritar me LVV-në e kryeministrit Albin Kurti.

Kurti ka thënë se partia e tij do ta formojë Qeverinë e re të vendit, ndërsa ka paralajmëruar “bisedime” pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve paralamentare të 9 shkurtit.

LVV-ja ka marrë 42.30% të votave, sipas rezultateve përfundimtare, ndaj Kurtit do i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet.

PDK-ja ka marrë 20.95% të votave, ndërsa LDK-ja 18.27%.

Koalicioni i AAK-së me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave.

LVV-ja ka 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa PDK-ja (24 deputetë), LDK-ja (20 deputetë) dhe AAK-Nisma (8 deputetë), kanë së bashku 52 mandate.

Hamza ka thënë para disa ditësh se PDK-ja do ta presë radhën, duke përsëritur se LVV-ja e ka e para të drejtën që të përpiqet ta formojë Qeverinë.

Ndërsa një koalicion të mundshëm me LVV-në e kanë përjashtuar tri partitë opozitare, Hamza tha se PDK mund ta harmonizonte programin e saj me programet e partive të tjera opozitare.

Më i paqartë mbetet qëndrimi Nismës së Fatmir Limajt, i cili para disa javësh shprehu gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar edhe me LVV-në.