Hamasi përsëriti të shtunën se fundi i armiqësive ushtarake dhe një tërheqje e plotë e forcave izraelite nga Rripi i Gazës janë parakushtet e nevojshme për një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Në një konferencë shtypi të mbajtur në Bejrut të shtunën, zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan tha se grupi mori një “propozim të përgjithshëm të kornizës” që u qarkullua gjatë një takimi të mbajtur fundjavën e kaluar në Paris midis zyrtarëve izraelitë, amerikanë, të Katarit dhe egjiptianë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Ne konfirmojmë se diskutimi dhe konsultimi i lidershipit për këtë bazohet në negociatat për arritjen e një fundi të plotë të agresionit terrorist kundër popullit tonë palestinez dhe një tërheqje të plotë të ushtrisë okupuese nga Rripi i Gazës”, tha Hamdan.
Hamasi bëri thirrje gjithashtu për “njohjen praktike ndërkombëtare të së drejtës së popullit tonë për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit të tyre të pavarur, plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet”.
Deklarata e Hamdanit i bën jehonë një ndjenje që ai shprehu për mediat libaneze të premten, kur tha se nevojitet një “armëpushim i plotë gjithëpërfshirës” përpara se të arrihet një marrëveshje pengjesh.