Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Haliti: Terroristët planifikuan t’i vrasin disa civilë, pastaj Serbia do hynte me ushtri në veri

Haliti: Terroristët planifikuan t’i vrasin disa civilë, pastaj Serbia do hynte me ushtri në veri

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se terroristët që e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kishin qëllim t’i vrisnin disa civilë serbë, e pastaj të justifikohej intervenimi ushtarak i Serbisë në veri të vendit.

Sipas tij plani ka qenë që të njoftohej edhe KFOR-i, kinse se janë duke e futur ushtrinë në Kosovë për t’i mbrojtur serbët.

“Projekti ka qenë të vriten disa civilë serbë dhe pastaj të krijohet mundësia që Serbia të vepronte ushtarakisht në drejtim të veriut, për ta justifiku veprimin do ta njoftonte edhe KFOR-in edhe të tjerët në emër të mbrojtjes së serbëve në veri”, ka thënë ai.

“Ishte plan që ndërhyrja ushtarake të bëhej nga Serbia, duke kriju skena mediatike, sic bëhen në propagandën e luftës, duke prezantu civilë të vrarë, policë të Kosovës, të veshur ata me unfiroma të policisë së Kosovës. Sipas tyre ky projekt nuk do gjykohej nga bashkësia ndërkombëtare por do të arsyetohej që veprimi është bërë për t’i mbrojtur civilët”, ka vijuar Haliti.

Me këto veprime sipas tij forcat serbe do vendoseshin në “Ibër” për ta realizuar në tërësi planin e Serbisë për ndarjen veriut nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Kjo do të sillte vendosjen e forcave në Ibër dhe kështu ky plan I cili ishte bërë me kohë do ta bënte atë që ka kërkuar Serbia, një pjesë e serbëve të veriut që janë të integruar që të ndahet pjesa veriore.

Haliti ka thënë se AKI ka pasur informata të sakta se çfarë po bëhet në veri. Ai tha se nuk pajtohet me mosveprimin për ta parandaluar veprimin e grupit terrorist.

Ai tha se është ditur se armatimi është futur në dy kisha, në një depo të madhe dhe në disa objekte me karburante.

“Veprimet janë bërë për t’i kapë armët në depon e madhe por s’i kanë gjetë, sepse duket se ata [serbët], kanë pasur informacion për këtë. Bartja nga depot në kishë është bërë për ta evitu hetimin e Policisë, e cila ka ndërmarrë veprimin. Ngjarja e cila u zhvillu brenda grupit, kush e ka njoftu policin [Afrim Bunjaku], që janë vendos dy kamiona dhe pse nuk kanë shkuar forcat speciale, nuk e di sa ka qenë i përgatitur për atë aksion”, ka thënë ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress