Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Haliti: Kushtet e Kurtit një lojë elektorale të cilën presioni ndërkombëtar po ia prishë

Haliti: Kushtet e Kurtit një lojë elektorale të cilën presioni ndërkombëtar po ia prishë

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen në Bruksel, siç ka thënë i dërguari i BE-së për këtë proces (Miroslav Lajcak) në kuadër të “zbatimit urgjent” të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por në javën e kaluar një takim trilateral ndërmjet kryeministrit Kurti, presidentit Vuciq dhe përfaqësuesit të BE-së, Josep Borell, kishte dështuar për shkak se Kryeministri Kurti që i kishte vënë disa kushte për vazhdimin e dialogut, sikurse “formalizmin e Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, raporton TV Arbëria.

Në lidhje me këtë çështje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për TV Arbëria, ka deklaruar se zëvendësi asnjëherë nuk shkon në takime të tilla pa lejen e shefit të tij, teksa shtoi se është lojë elektorale e Albinit.

Haliti ndër të tjera thotë se pas zgjedhjeve elektorale në Bashkimin Evropian do ta kemi edhe më të vështirësuar procesin, pasi që BE-ja është e acaruar dhe ka akuzuar Kurtin për mospranim të kushteve të BE-së, ku në anën tjetër theksoi se shansi i përafrimit me Bashkimin Evropian është rrezikuar nga veprimet luftënxitëse e nacional shoveniste të Vuçiqit.

Zëvendësi asnjëherë nuk shkon në takime të tilla pa lejen e shefit të tij. Është lojë elektorale e Albinit, të cilën presioni ndërkombëtarë po ia prishë. Tani pas zgjedhjeve elektorale në BE do ta kemi edhe më të vështirësuar procesin, për shumë arsye. BE-ja është e acaruar dhe ka akuzuar Kurtin për mospranim të kushteve të BE-së, në anën tjetër shansi i përafrimit me BE është rrezikuar nga veprimet luftënxitëse e nacional shoveniste të Vuçiqit, Kishës serbe dhe politikës antiperëndimore që po vazhdon ta ketë Serbia, jo vetëm me Kosovën por me gjithë Ballkanin Perëndimor, lufta në kufijtë e Evropës dhe rreziqet që po i kanosen popujve të të gjithë kontinentit tonë, ka vu në lëvizje politikat perëndimore që me çdo kushtë të stabilizohet Ballkani, që vetvetiu nënkuptohet edhe nyja qëndrore, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, kjo edhe për arsye që Rusia është duke u përpjekur që ta destabilizoj rajonin dhe gjandar të Ballkanit ta mbajë Serbinë”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, është shprehur se politikat globaliste po ndryshojnë me shpejtësi të madhe, ndërkohë që rreziqet e luftës po rriten dita ditës.

“Politikat globaliste po ndryshojnë me shpejtësi të madhe dhe rreziqet e luftës po rriten dita ditës. Krijimi i blloqeve dhe kthimi në kohën e luftës së ftohtë në mes superfuqive është evident. Prandaj Kosova e Serbia duhet të lidhin gangjen në trenin që na shpie kah perëndimi”, thekson Haliti për TV Arbëria.

Ndërkaq, ai ka shprehur një sygjerim për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes bazë, duke thënë se nëse delegacionet e Kosovës e Serbisë nuk e nënshkruajnë, atëherë alternativa është që në aneksin e marrëveshjes të pranohet nënshkrimi i marrëveshjes nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, si garantuese të zbatimit të dyanshëm.

“Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes bazë, unë kam një sugjerim. Nëse delegacionet e Kosovës e Serbisë nuk e nënshkruajnë, atëherë alternativa është që në aneksin e marrëveshjes të pranohet nënshkrimi i marrëveshjes nga përfaqësuesit e SHBA-së e BE-së, si garantuese të zbatimit të dyanshëm të marrëveshjes.”

Sipas Halitit, tërheqja e letrës së Ana Bërnabiq, nuk është ndonjë problem që pengon zbatimin e marrëveshjeve, pasi dihet që ajo është vetëm një kukull në duart e Vuçiqit.

“Çështja e tërheqjes së letrës së Ana Bërnabiq, mendoj që nuk është ndonjë problem që pengon zbatimin e marrëveshjeve. Aq më shumë kur dihet që ajo është vetëm një kukull në duart e Vuçiq dhe me vullnet edhe të padeklaruar publikisht do konsiderohet inegzistente. Çështja e Radojçiqit dhe grupit terrorist të Vuçiqit është problem në vete”, tha ai për TV Arbëria.

Më tej, Haliti thotë se kryeministri Kurti duhet t’i bëj pyetje vetes, në lidhje me grupin terrorist i cili nuk është kapur nga policia e Kosovës, përderisa ata ishin brenda territorit të vendit tonë.

“Kurti duhet t’i bëj pyetje vetes, përse ky grup terrorist su kap nga policia e Kosovës, përderisa ata ishin brenda territorit të Kosovës, dhe të nxirreshin pastaj para gjykatave duke bërë hetime të hollësishme përmes të cilave politika e Serbisë në planin ndërkombëtarë do të baltosej dhe “kryengritësit” do të merrnin dënimin e merituar.”

Sipas Halitit, kërkesa për dorëzimin e Radojçiqit është njësoj si të kërkosh dorëzimin e Vuçiqit, teksa vlerëson se me Kushtetutën e Serbisë është komandant i grupit terrorist.

“Të kërkosh dorëzimin e Radojçiqit është njësoj si të kërkosh dorëzimin e Vuçiqit, sepse në këtë rast edhe me Kushtetutën e Serbisë është komandant dhe ideolog i grupit në fjalë. Për ta mbajtë si kartë propagandistike mund të kërkohet dorëzimi i grupit terrorist, por pa Komandantin(Vuçiq).”

Tutje, ai politikën e quan art të së munshmes, duke përdorur fjalë popullore “duhet t’i shtrijmë këmbët aq sa na mbërrinë jorgani”, dhe të shpallet arrest ndërkombëtarë për Grupin në fjalë.

“Politika është art i së mundshmes, prandaj edhe ne duhet t’i shtrijmë këmbët aq sa na mbërrinë jorgani, të shpallet arrest ndërkombëtarë për Grupin në fjalë, dhe të gjendet një mundësi që ata të dalin para gjykatës, gjykim i cili do ishte i mbikqyrur gjatë gjithë procesit hetimorë e gjyqësorë nga ndërkombëtarët.”

Ndërkohë sa i përket dorëzimit të grupit terrorist për t’i gjykuar në Kosovë, sipas tij kjo mund të ndodhë atëherë kur Kosova e Serbia do të jenë anëtare të BE-së.

“Sa i përket dorëzimit të tyre për t’i gjykuar në Kosovë, diçka e tillë mund të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova e Serbia do ishin anëtare të BE-së. Prandaj procesi është i vështirë por jo i pamundshëm për të arritur marrëveshje”, deklaroi Haliti për TV Arbëria.

Powered by WordPress