Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë, James O’Brien, para disa ditësh ka deklaruar në Beograd, në një intervistë për RTS, se SHBA-të presin që të respektohen të gjitha marrëveshjet e dakorduara ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në procesin e dialogut në Bruksel, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij Uashingtoni pret që sa më parë draft statuti Asocacionit të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria, ka folur deputeti i PDK-së Xhavit Haliti i cili thotë se kanë hezituar për ta nënshkruar edhe marrëveshjen e Rambujesë, e cila ka pasur shumë kundërshtime.
“Ne kemi pas hezituar për ta nënshkruar edhe marrëveshjen e Rambujesë, për nënshkrimin e së cilës ka pasur edhe atëherë shumë kundërshtime. Megjithatë ne nënshkruam dhe nuk gabuam”, tha ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të besohet dhe duhet t’i dorëzohet draft-statuti.
“Gjykata Kushtetuese është e Kosovë, është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe asaj duhet t’i besohet. Draft – Statuti patjetër duhet t’i dorëzohet dhe të pritet analiza dhe vendimi që e nxjerr kjo gjykatë”, deklaroi Haliti.
Ai thekson se nëse duam që t’i hapim perspektivë Kosovës, duhet të nënshkruajm marrëveshjet që i sygjeron SHBA dhe BE.
Mes tjerash ai thotë se vazhdimi i qëndrimeve të ngurta, do ta dobësoj Kosovën në raportë me miqtë tanë.
“Nëse duam t’i hapim perspektivë Kosovës neve duhet të nënshkruajmë marrëveshjet të cilat i sygjeron SHBA dhe BE, me kushtë që zbatimi i tyre të fillojë kur Serbia t’i nënshkruaj këto marrëveshje. Vazhdimi i qëndrimeve të ngurta, do ta dobësoj Kosovën në raport me miqët tanë, pa tmbështetjen e të cilëve Kosova do të jetë e rrezikuar”, përfundoi Haliti për TV Arbëria.