Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, të mërkurën është mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje nominoi Albulena Haxhiun, e cila sërish nuk mori votat e mjaftueshme, pastaj Glauk Konjufca nominoi Donika Gërvallën, e cila njëjtë si Haxhiu, mori vetëm 57 vota.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me dështimin e votimit për kryetaren e Kuvendit, ku kandidatet nga Lëvizja Vetëvendosje ishin Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla.
Ai tha se qëndrimi i PDK-së për të mos votuar ministra është politik dhe se jo të gjithë kanë qenë të dëmshëm në detyrat e tyre.
Haliti shtoi se emri i Donika Gërvallës është i papranueshëm për opozitën, duke e cilësuar si jo të suksesshme në detyrën e saj.
“Qëndrimi i PDK që nuk i voton ministrat është qëndrim politik, ata ministra që kanë qenë të korruptuar nuk duhet të votohen por ndoshta ndonjëri nuk ka qenë i keq si ministër nuk e ka shkelë ligjin. Emri i Donika Gërvallës në raport me opozitën është emër i papranueshëm se s’ka pas sukses në detyrën që e ka pas dhe ka qenë shumë grindavece me opozitën”, ka deklaruar Haliti.