Haki Morina ka reaguar ashpër pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, duke deklaruar se entuziazmi më i madh për këtë fitore nuk ka ardhur nga mbrojtësit e vlerave të luftës çlirimtare, por nga, siç i quan ai, nostalgjikët e Jugosllavisë dhe strukturat e trashëguara ideologjike të sistemit të vjetër, shkruan TV Arbëria.
Në një reagim publik, Morina shkruan se, pavarësisht paraqitjeve publike të përfaqësuesve të pushtetit aktual me figura të njohura patriotike apo me pinjollë të familjeve të dëshmorëve, realiteti politik flet ndryshe. Sipas tij, gëzimi më i madh për fitoren e thellë të VV-së ka ardhur nga ish-aktivistë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ish-bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë jugosllave, si dhe nga pasardhësit e tyre.
Morina thekson se janë pikërisht këto qarqe që, sipas tij, historikisht kanë kontribuar në diskriminimin e shqiptarëve, përfshirë përjashtimin nga shkollat dhe institucionet, dhe që para dhe gjatë luftës nuk kanë kursyer sulmet ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e krahason situatën aktuale me praktikat e regjimeve të mëhershme, duke deklaruar se manipulimi me familje të njohura patriotike ka qenë një metodë e përdorur edhe nga regjimi titist. Sipas tij, në atë kohë, disa familje të njohura për rezistencë kundër Jugosllavisë së Karagjorgjeviqëve u integruan në strukturat e Lidhjes së Komunistëve për t’i shërbyer legjitimitetit të regjimit.
Morina rikujton se edhe në vitet ’90, disa ish-të burgosur politikë, sipas tij, u përdorën për të justifikuar politika nënshtruese, ndërsa sot, siç shprehet ai, po përsëritet i njëjti skenar.
“Edhe sot po manipulohet me disa individë nga familje të njohura, duke i joshur me poste dhe funksione, për të krijuar idenë e rreme se regjimi aktual përfaqëson vlerat e luftës çlirimtare,” shkruan Morina.
Në përfundim, ai thekson se përfaqësimi i vlerave të UÇK-së nuk mund të bëhet përmes simbolikës së rreme apo përdorimit të emrave të mëdhenj, por vetëm përmes qëndrimeve të qarta politike dhe respektimit të sakrificës së luftës çlirimtare.
/TV Arbëria