Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gucati reagon ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman: Dyshime për procesin në Hagë

Gucati reagon ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman: Dyshime për procesin në Hagë

Hysni Gucati ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman Rainer Rudolph, duke ngritur shqetësime serioze për procesin gjyqësor në Gjykata Speciale.

Sipas Gucatit, koha e ngritjes së kësaj teme nga ambasadorët, pikërisht në prag të vendimit të Gjykatës Speciale, nuk është e rastësishme dhe lë hapësirë për dyshime mbi pavarësinë e procesit.

“Pse po hapet kjo çështje tani? Kjo duket si përpjekje për ta parapërgatitur opinionin për një vendim që mund të jetë i shkruar diku tjetër”, ka deklaruar ai.

Gucati theksoi se deklaratat që përmendin mundësinë e “dënimeve apo lirimeve” nuk mund të konsiderohen neutrale, por përbëjnë, sipas tij, paragjykim të hapur të procesit gjyqësor dhe sinjal të ndikimit të jashtëm.

Ai ka shtuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe nuk duhet të ndikohet apo të ndërtohet përmes mesazheve diplomatike.

“Drejtësia nuk duhet as të diktohet, as të parapërgatitet. Ajo duhet të jetë e lirë dhe e paanshme”, u shpreh Gucati.

Në reagimin e tij, ai theksoi gjithashtu se çdo vendim që, sipas tij, cenon luftën e Kosovës nuk do të pranohet.

“Asnjë vendim që e cenon luftën tonë nuk do të pranohet. Nuk e lejojmë askënd të luajë me sakrificën tonë”, përfundoi ai.