Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar hapa të tjerë nëse Qeveria e Kosovës nuk miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai ka paralajmëruar se një nga mundësitë që po diskutohet është vendosja e tendave para Qeverisë së Kosovës.
“Do t’ia vështirësojmë punën Qeverisë. Ne do të tentojmë, nëse nuk reflekton. Një nga shembujt, do të qëndrojmë me tenda para Qeverisë. Tani do ta shohim ditëve në vijim, kjo është diskutuar”, tha Gucati.
Ndërkohë, ai ka deklaruar se protesta e 1 tetorit në Prishtinë do të jetë gjithëpopullore dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Sipas tij, organizatorët kanë zhvilluar takime në vazhdimësi gjatë dy javëve të fundit për të mobilizuar qytetarët dhe për të siguruar pjesëmarrje sa më të gjerë në protestë.