Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Guardiola thyen heshtjen: Ja çfarë thotë për largimin nga Man City

Guardiola thyen heshtjen: Ja çfarë thotë për largimin nga Man City

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka mohuar spekulimet për largimin e tij nga klubi, duke theksuar se nuk ka asnjë paqartësi rreth së ardhmes së tij në “Etihad”.

Tekniku spanjoll ka rikujtuar se ka kontratë të vlefshme me kampionët e Anglisë dhe se ndihet i vlerësuar nga drejtuesit e klubit.

“Do të jem trajner i Cityt sezonin e ardhshëm? Oh Zoti im… kam kontratë. E kam thënë një milion herë”, ka deklaruar Guardiola.

Ai ka shtuar se është i vetëdijshëm për zërat dhe lodhjen e disa njerëzve pas një dekade në krye të skuadrës, por ka theksuar se aktualisht ndihet i lumtur në klub.

“E di që shumë njerëz janë lodhur nga unë pas 10 vitesh këtu. Një ditë do të largohem, e premtoj. Por tani jam i lumtur, dua të luftoj me ekipin tim dhe klubi më respekton – kjo u dëshmua sezonin e kaluar”.

Guardiola ka veçuar mbështetjen e drejtuesve të klubit edhe gjatë periudhës më të vështirë të sezonit.

“Ne nuk fituam asnjë ndeshje për tre muaj dhe ata më qëndruan pranë. Çfarë më shumë mund të kërkoj?”, është shprehur ai.

Në fund, trajneri katalanas ka konfirmuar se ka edhe një vit kontratë dhe se dëshiron të vazhdojë punën në krye të Manchester Cityt.

“Kam edhe një vit kontratë. Do të doja të isha këtu, pastaj do të shohim”.

Këto deklarata vijnë pas raportimeve të shumta se ky mund të jetë viti i fundit i Guardiolës me Cityn, si dhe pas zërave se klubi anglez ka shprehur interesim për trajnerin e sapo shkarkuar nga Chelsea, Enzo Maresca.