Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Grusht shteti në Kosovë? Fantazi apo kthesë e rrezikshme për demokracinë?

Grusht shteti në Kosovë? Fantazi apo kthesë e rrezikshme për demokracinë?

Grusht shteti nënkupton përmbysjen e një qeverie me dhunë në mënyrë antikushtetuese ose të paligjshme. Kontrolli i shtetit merret nga ushtria, dhe vendoset një ligj ushtarak ku gjithçka kontrollohet përmes forcave ushtarake të vendit, shkruan TV Arbëria.

Ky akt mund të kryhet nga grupe të fuqishme të brendshme, si ushtarët, politikanët, apo individë të caktuar që kërkojnë të ushtrojnë kontrollin e pushtetit.

Shembuj të Grushtit të Shtetit në Histori:

Grushti i Shtetit në Turqi (2016): Një grup ushtarësh tentoi të realizonte një grusht shteti kundër qeverisë së Recep Tayyip Erdoğan, por ai dështoi pas ndërhyrjes së forcave qeveritare dhe mbështetjes popullore.

Grushti i Shtetit në Egjipt (2013): Ushtria egjiptiane ndërhyri për të larguar presidentin islamist Mohamed Morsi pas protestave masive të popullit, duke sjellë një periudhë të pasigurisë dhe tensioneve të reja.

Grushti i Shtetit në Bjellorusi (2020): Pas zgjedhjeve të dyshimta, presidenti Aleksandr Lukashenko përdori forcën ushtarake për të mbajtur pushtetin, duke shtypur protestat masive të qytetarëve kundër tij.

Grushti i shtetit paraqet një rrezik të madh për sistemet politike dhe demokratike të një vendi, duke çuar shpesh në përmbysje të strukturave ekzistuese dhe në destabilizim të rëndë.

Çka tha presidentja për grusht shtetin?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngjallur shumë reagime me disa deklarata të dhëna gjatë një konference për media. Njëra nga deklaratat e saj ka qenë ajo që lidhej me mundësinë e një grusht shteti.

Presidentja bëri një lidhje të çuditshme duke përmendur “disa gazetarë”, “Radoiçiqët” dhe “grusht shtetin”. Osmani deklaroi se po të dilnin në opinion të bëmat e disa “të ashtuquajtur gazetarëve”, publiku do të shokohej me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve të sigurisë dhe hetimeve që po kryhen.

Osmani madje, kur u pyet për emrat e bashkëpunëtorëve të Radoiçiqit, që shkonin edhe deri tek plani për grusht shtet, ajo nuk dha emra, duke thënë se pengohen hetimet.

“Nuk ka pasur nevojë të hetohen disa gazetarë. Ose, më qartësisht, nuk dua të përmend termin ‘gazetar’ sepse nuk dua t’ju fus ju në thes me njerëz të tillë. Kur hetohen Radoiçiqët, dalin bashkëpunëtorët e tyre dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, detyrë morale, detyrë ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë planet për grusht shteti, përfshirë rrezikimet e ndryshme që janë bërë dhe i bëhen Kosovës. Për këtë arsye ekzistojnë institucionet e sigurisë,” – kjo është një pjesë nga deklarata e presidentes Osmani.

Qëllimi i kësaj deklarate?

Sipas analistit politik Afrim Kasolli, pikëpyetja për një grusht shtet në Kosovë nga Vjosa Osmani nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveçse me një skenar imagjinar të saj. Kasolli e cilëson këtë sjellje të presidentes si një kontribut serioz për shkatërrimin e demokracisë në Kosovë.

Ai shkruan se: “Është e vërtetë se demokracitë historikisht kanë vdekur nga grusht-shtetet. Por këto përmbysje janë bërë gjithnjë e më të rralla kohën e fundit. Ato ishin më shumë në ‘modë’ gjatë viteve ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, kur juntat ushtarake në vendet e botës së tretë sa ‘hap e mbylle’ sytë dhe rrembenin pushtetin qendror.

Mjerisht, sot, siç kanë vënë në pah studiusit eminentë të shkencave politike, shumë nga demokracitë po i nënshtrohen një vdekjeje tjetër politike, kryesisht graduale dhe pa sensacion, pikërisht nga zgjedhjet.

Sjellja e presidentes Osmani për ta mbrojtur, me anë të fantazisë së saj, demokracinë në Kosovë nga një grusht shtet imagjinar, nuk është asgjë tjetër përveçse një kontribut serioz në varrmihjen e demokracisë sonë nga një strukturë që e fitoi pushtetin me anë të zgjedhjeve”. /TV ARBËRIA