Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do të mbahet nesër, më 17 tetor, në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Gruda theksoi se kjo protestë është një zë i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trevat. “Nesër, në Tiranë, duhet të jemi të gjithë bashkë, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, diaspora dhe vetë Shqipëria. Le të ngremë zërin bashkë për të vërtetën, për dinjitetin kombëtar dhe për drejtësinë ndaj luftës çlirimtare”, ka shkruar ai.
Gruda foli edhe për bazën mbi të cilën u themelua Gjykata Speciale në Hagë, duke përmendur raportin e Dick Martyt, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Sipas tij, raporti përfshinte pretendime të pabazuara për trafikim organesh në territorin e Shqipërisë, të lidhura me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
“Sot, ndërsa procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundit, është bërë plotësisht e qartë se këto pretendime nuk kanë qenë të vërteta. Në aktakuzën zyrtare të Prokurorisë Speciale nuk ekziston asnjë pretendim për ‘Shtëpinë e Verdhë’, as për trafikim organesh, dhe asnjë provë nuk ka vërtetuar ndonjë prej akuzave të ngritura në raportin e Martyt”, ka shkruar Gruda.
Ai thekson se kjo e vërteton se themeli i krijimit të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe i bazuar në akuza të rreme.
“Një raport pa fakte ka shërbyer për të ngritur një gjykatë që për vite me radhë po mban nën akuzë drejtuesit e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës,” shtoi ai.
Në fund, deputeti Gruda thekson se Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, ka një detyrim moral dhe politik.
“Sot Shqipëria… ka detyrimin moral dhe politik të kërkojë heqjen e kësaj njolle të padrejtë që rëndon mbi emrin e saj dhe mbi luftën e drejtë të UÇK-së,” përfundoi ai.