Përparim Gruda, deputet i PDK-së ka dhënë pesë fakte të tij dhe arsye se pse duhet të protestohet sot kundër Gjykatës Speciale.
Njëra nga ta sipas tij është që Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e zbatueshme në Kosovë sipas nenit 22 të Kushtetutës, ndalojnë mbajtjen në paraburgim për më shumë se katër vjet.
Tutje ai ka thënë se pranimi i provave të siguruara nga Serbia kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së është cenim i drejtësisë dhe minon çdo besim në paanshmërinë e këtij procesi.
“Po shkelet parimi themelor i shtetit të së drejtës – zbatimi i ligjit më të favorshëm për të pandehurin (lex mitior) – një parim që qëndron në themel të çdo sistemi demokratik të drejtësisë”, ka shkruar Gruda.
Sipas Grudës nëse Kosova nuk do ta themelonte vetë këtë gjykatë, atëherë ajo do të imponohej nga jashtë.
“Nëse Kosova nuk do ta themelonte vetë këtë gjykatë, atëherë ajo do të imponohej nga jashtë – nga OKB-ja ose ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar – dhe do të ishte krejtësisht jashtë juridiksionit e kontrollit të Republikës së Kosovës. Në atë rast, Kosova do të përballej me akuza për sabotim të drejtësisë dhe me pasoja të rënda ndërkombëtare”, ka shkruar Gruda.