Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka thënë vetëm një regjim idiotesk mund t’i neglizhojë kërkesat e minatorëve të Trepçës, raporton TV Arbëria.
Në një prononcim për TV Arbëria, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka folur për grevën e minatorëve të Trepçës të cilët kërkojnë paga të larta dhe ato të cilat ende nuk u kanë dalur.
“Vetëm një regjim shumë idiotesk dhe armiqësor mund t’i neglizhojë kërkesat e minatorëve të Trepçës, nismëtarët e lëvizjes për liri dhe simbolin e rezistencës ndaj regjimit të Miloševićit”, është shprehur ai.
Sipas vlerësimit të Berishës, motivet kryesore të grevës janë kërkesat për përmirsimin e kushteve të punës dhe pagesës së rrogave të prapambetura, teksa shton se minatorët kanë ngritur shqetësime të ndryshme lidhur me kushtet e tyre të punës, sigurinë në minierë, si dhe mungesën e investimeve dhe mirëmbajtjes në kompleksin industrial të Trepçës.
“Greva e minatorëve të Trepçës, që po vazhdon këto ditë, ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka ngjallur diskutime të shumta në Kosovë. Motivet kryesore të grevës janë kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës dhe pagesës së rrogave të prapambetura. Minatorët kanë ngritur shqetësime të ndryshme lidhur me kushtet e tyre të punës, sigurinë në minierë, si dhe mungesën e investimeve dhe mirëmbajtjes në kompleksin industrial të Trepçës”, theksoi Berisha.
Tutje, Berisha komentoi deklaratën e Kryeministrit Kurti i cili ka thënë se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Trepçën, ndërkaq deputeti i PDK-së këtë deklaratë e quan retorikë mashtruese.
“Retorika mashtruese se “po punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Trepçën” me të cilën po deklarohet Kryeministri Kurti dhe ministrat përkatës, nuk është më e mjaftueshme për tejkalimin e situatës, sepse tashmë minatorët e kanë lexuar kursin politik të retorikave boshe dhe të mashtrimit gjatë katër viteve të qeverisjes”, tha Berisha.
Ai thekson se kjo qeveri është ajo e cila ka premtuar se do të ndërmarrë hapa konkret për të investuar në modernizimin e Trepçës, derisa thotë se asnjë lëvizje investive nuk ka ndodhur në këtë drejtim dhe sfidat janë më të shumta.
“Është kjo qeveri që ka premtuar se do të ndërmarrë hapa konkretë për të investuar në modernizimin e Trepçës dhe për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e saj. Megjithatë, asnjë lëvizje investive nuk ka ndodhur në këtë drejtim dhe sfidat janë më të shumta dhe situata është komplikuar edhe më shumë.”
Sipas tij, një zgjidhje afatgjate kërkon jo vetëm përmirësime të menjëhershme në kushtet e punës dhe pagesën e rrogave të mbetura, por edhe një strategji të qartë për zhvillim dhe modernizim, e cila përfshinë jo vetëm investimet financiare por edhe përmirësime në menaxhim dhe qeverisje.
“Një zgjidhje afatgjatë kërkon jo vetëm përmirësime të menjëhershme në kushtet e punës dhe pagesën e rrogave të mbetura, por edhe një strategji të qartë për zhvillimin dhe modernizimin e gjithë kompleksit industrial. Kjo përfshin jo vetëm investime financiare, por edhe përmirësime në menaxhim dhe qeverisje, si dhe përpjekje për të tërhequr investime të huaja dhe për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar”, është shprehur ai për TV Arbëria.
Sa i përket grevave të vazhdueshme nga ana e minatorëve të Trepçës, Berisha potencon se është reflektim i sfidave me të cilat përballet sektori industrial përgjithësisht në Kosovë.
“Në përgjithësi, greva e minatorëve të Trepçës reflekton sfidat e vazhdueshme me të cilat përballet sektori industrial përgjithësisht në Kosovë dhe nevojën për reforma të thella dhe të mirë-menduara për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese për të gjithë punëtorët dhe qytetarët e vendit.”
Berisha në pika të shkurta rrëfen rolin historik të minatorëve të Trepçës, i cili e quan të rëndësishëm në lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit komunist të Serbisë, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90, derisa shton se protestat dhe grevat e minatorëve ishin një simbol i qëndresës dhe unitetit kombëtar, dhe ata gëzonin mbështetjen e madhe të rinisë studentore.
“Është e vërtetë që minatorët e Trepçës kanë luajtur një rol historik të rëndësishëm në lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit komunist të Serbisë, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90. Protestat dhe grevat e minatorëve ishin një simbol i qëndresës dhe unitetit kombëtar, dhe ata gëzonin mbështetjen e madhe të rinisë studentore, e cila ishte avangardë në kërkesat për ndryshim dhe liri. Prandaj, vetëm një pushtet i predispozuar tejet armiqësisht ndaj minatorëve që ishin promotorë të lëvizjes për liri e pavarësi në Kosovë, do t’i neglizhojë dhe luftojë me komplotin e heshtjes”, tha ai.
Ndryshe nga vitet e kaluara Berisha thekson se sot situata është më komplekse dhe ndryshe, duke thënë se minatorët e Trepçës ende luftojnë për të drejtat e tyre, fryma studentore e ndryshimit që ishte dikur nuk është më e dukshme.
“Sot, situata është më komplekse dhe ndryshe. Ndërsa minatorët e Trepçës ende luftojnë për të drejtat e tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës, fryma studentore e ndryshimit që ishte dikur nuk është më e dukshme. Shumë faktorë mund të ndikojnë në këtë gjendje, duke përfshirë ndryshimet socio-politike dhe ekonomike në Kosovë, sfidat e reja me të cilat përballet vendi dhe vetë natyra e ndryshuar e lëvizjeve studentore.”
Sipas vlerësimit të tij, synimi praktik i qeverisë Kurti për instalimin e një ‘regjimi neo-komunist’ është shqetësim serioz.
“Synimi praktik i qeverisë Kurti për instalimin e një “regjimi neo-komunist” është shqetësim serioz dhe duhet të jetë temë debati të gjerë politik në Kosovë.
Qeveria Kurti, në emër të “reformave” të ndryshme, ka shkaktuar polarizim politik dhe opinione të ndryshme në publik. Përveç “analfabetëve funksionalë” siç i quan LVV e Kurti votuesit e përkrahësit e vet, të cilët me miopinë e tyre inertive e shohin qeverinë si një forcë pozitive për ndryshim dhe drejtësi sociale, nga qarqe vendore e ndërkombëtare janë kritikë ndaj qasjes dhe politikave të saj, duke i konsideruar ato si autoritare dhe të ngjashme me praktikat e regjimeve të kaluara”, është shprehur Berisha.
Ai deklaroi se një faktorë tjetër që duhet marrë parasysh është konteksti ekonomik dhe social pas luftës dhe gjatë procesit të shtet-ndërtimit në Kosovë.
“Një faktor tjetër që duhet marrë parasysh është konteksti ekonomik dhe social pas luftës dhe gjatë procesit të shtet-ndërtimit në Kosovë. Ndërsa vendi përpiqet të konsolidojë demokracinë dhe të zhvillojë ekonominë, sfidat e varfërisë, papunësisë dhe mungesës së investimeve mbeten të mëdha. Në këtë kuadër, lëvizjet studentore dhe sindikaliste mund të kenë pësuar ndryshime në dinamikën dhe intensitetin e tyre”, theksoi ai.
Berisha thekson se Kosova është ende në një proces të gjatë dhe të vështirë të tranzicionit politik dhe ekonomik, derisa shton se është thelbësore për t’u adresuar një sfidat aktuale dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit.
“Përfundimisht, është e rëndësishme të kuptojmë se Kosova është ende në një proces të gjatë dhe të vështirë të tranzicionit politik dhe ekonomik. Një dialog i hapur dhe konstruktiv ndërmjet qeverisë, sindikatave dhe shoqërisë civile është thelbësor për të adresuar sfidat aktuale dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundoi ai për TV Arbëria.