Një nga futbollistët që nuk ishte ftuar nga Kombëtarja angleze në Euro 2024 është sulmuesi i Manchester Cityt, Jack Grealish.
Anglezi nuk ishte një lojtar kyç për Cityn sezonin e kaluar dhe nuk është se pati formën që jemi mësuar ta shohim nga ai.
E kjo ka bërë që Gareth Southgate të mos e ftojë futbollistin anglez.
Në lidhje me këtë, ka folur vet Grealish, i cili tha që kjo ka qenë gjëja më e vështirë me të cilën është përballur deri më tani.
“Unë do të jem plotësisht i sinqertë tani. Për sa i përket karrierës sime futbollistike, mos thirrja për Euro 2024 ishte gjëja më e vështirë me të cilën jam përballur deri më tani. Unë isha absolutisht i shkatërruar. Tani jam në përmirësim. Më ka dhënë shumë motivim dhe do të bëj gjithçka për ta kthyer në sukses”, tha Jack Grealish.
Kombëtarja angleze arriti në finalen e madhe të Kampionatit Europian, ku humbi nga Spanja me rezultatin 1:2.
Pas turneut, Gareth Southgate, i cili ishte trajner i kombëtares angleze që nga viti 2016, dha dorëheqjen.