Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, është përfshirë në një debat të gjerë publik pas deklaratave të tij lidhur me mënyrën se si, sipas tij, duhet zgjedhur një partnere për martesë.
Gjatë një aktiviteti javën e kaluar, Tajani tha se do të këshillonte të martoheshin me gra “serioze”, të cilat veshin “funde më të gjata”, duke i përshkruar ato si më të besueshme dhe më të përshtatshme për të krijuar e mbajtur një familje.
Deklaratat shkaktuan reagime të forta nga opozita, sindikatat dhe organizata të tjera në Itali, ndërsa në rrjetet sociale ministri u bë objekt i memeve dhe imazheve satirike.
Pas kritikave, Tajani kërkoi falje, duke deklaruar se fjalët e tij ishin shkëputur nga konteksti i një fjalimi më të gjerë dhe se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte gratë.
Megjithatë, kërkimfalja nuk e ndali polemikën. Senatore nga Partia Demokratike, Italia Viva, të Gjelbrit dhe Aleanca e së Majtës, Lëvizja Pesë Yjet dhe grupe të tjera u shfaqën në Parlament të veshura me funde, në shenjë proteste ndaj deklaratave të ministrit.
“Jemi të lira të vishemi si të duam”, tha Raffaella Paita nga Italia Viva, duke kritikuar idenë se liria e grave mund të matet përmes gjatësisë së një fundi.
Edhe Simona Malpezzi nga Partia Demokratike i kritikoi deklaratat e Tajanit, duke i cilësuar ato si shprehje të një kulture patriarkale.
Polemika u zgjerua edhe pas deklaratave të Roberto Vannaccit, i cili tha se, mes një gruaje me fund të gjatë dhe një gruaje me fund të shkurtër, ai do të preferonte “një grua pa fund”.
Ndërkohë, deputetë të opozitës publikuan në rrjetet sociale fotografi me funde, ndërsa disa prej tyre shoqëruan postimet me mesazhe kundër stereotipeve lidhur me veshjen dhe vlerën e grave.
Kreu i Italia Viva, Matteo Renzi, tha se Tajani tashmë është kthyer në “meme”, ndërsa imazhe satirike të ministrit u përhapën në rrjetet sociale.
Edhe sindikatat italiane kritikuan deklaratat, duke argumentuar se kategorizimi i grave si “serioze” apo “të besueshme” bazuar edhe në mënyrën e veshjes rikthen stereotipe të vjetra për rolin e grave në shoqëri.
Në anën tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e minimizoi polemikën, duke i cilësuar fjalët e Tajanit si një “shprehje të ngathët” dhe duke bërë thirrje që çështja të mos ekzagjerohej.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjithashtu e mbrojti Tajanin, duke thënë se ai kishte folur për llojin e partneres që do t’ia këshillonte djalit të tij, bazuar në vlerat personale, dhe jo për mënyrën se si duhet të vishen gratë.
Polemika vazhdon të jetë pjesë e debatit publik në Itali, ndërsa deklaratat e Tajanit vijojnë të shkaktojnë reagime politike dhe në rrjetet sociale.