Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Granti i katërt i komunave, premtim i papërmbushur i Qeverisë

Granti i katërt i komunave, premtim i papërmbushur i Qeverisë

Pas katër vitesh pritjeje dhe premtim nga Qeveria e Kosovës, Granti i katërt për komunat mbetet ende një premtim i pambushur. Disa nga kryetarët e komunave shprehen shqetësimin e tyre për mos funksionalizimin e këtij granti, duke e cilësuar si një taktikë elektorale të përdorur në fushatë. Ata akuzojnë qeverinë për shpërndarje të padrejtë të fondeve, duke favorizuar disa komuna që udhëhiqen nga Vetëvendosje.

“Me Grantin e katërt për Komuna do të financojmë projekte infrastrukturore të cilat jo vetëm që gjenerojnë vende të reja të punës por edhe ndërtojmë infrastrukturën kritike për ringjalljen dhe urbanizimin e komunave”, ishte një tjetër premtim i Kurtit, i cili nuk u realizua. Derisa përgjigje nuk pati as nga Ministria e Financave se kur do të krijohet ky grant.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ankohet për qasjen e qeverise aktuale karshi kryetarëve të komunave të cilët nuk janë të udhëhequra nga partia në pushtet. Ai derisa thotë se premtimi për ndarjen e grantit të katërt nuk u realizua, shton se pushteti bënë dallime në ndarjen buxhetore, duke përmendur këtu, që Prizreni dhe Prishtina bashkë morën buxhet më pak se Podujeva që është një komunë relativisht e vogël.

Kritika për këtë pati edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura. Ai thotë se krijimi i këtij granti ishte një premtim që ka rrjedhur në kuadër të fushatës.

Edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se ndonëse Granti i katërt është premtuar nga Qeveria ai është tërhequr nga Ligji për financat lokale dhe i njëjti nuk është krijuar ende.

Ibrahimi nënvizon po ashtu se shumica absolute e kryetareve vlerësojnë se gjatë ndarjes buxhetore për komuna, mjetet financiare të cilat shkojnë nëpër ministri të linjës ka pabarazi në ndarjet buxhetore.

Vetëvendosje, fillimisht Grantin e katërt e pati quajtur për transformimin zhvillues të komunave. Sipas premtimit të LVV-së, përmes këtij granti, në katër vitet e ardhshme, komunave do t’u alokohen 600 milionë euro, dhe komunat do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në vjeshtën e vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vetëm në katër komuna, në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe në Podujevë.

Partia Demokratike e Kosovës, qeverisë në Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Ferizaj dhe në Han të Elezit.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Dragash, Lipjan dhe në Pejë. Dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheq në Gjakovë, Klinë, Rahovec, Deçan dhe në Suharekë.