Shkruan: Afrim Kasolli
Më fund Gjykata Kushtetuese e dha verdiktin e saj. Institucioni më i lart juridik në vend ka vendosur hapur dhe pa ekuivok se “deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme; se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Thjesht tendenca që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me “votim të fshehtë ” ka qenë veprim anti-kushtetues dhe arbitrar nga ana e kryesuesit të seancës konstituive.
Për më shumë , ky aktgjykim e godet edhe ofertën për kompromis të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj partive tjera parlamentare. Sepse i njëjti i kishte kërkuar që këto të fundit të pajtoheshin me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun dhe vetëm nëse kjo e fundit nuk i merr votat e mjaftueshme atëherë të diskutohej opsioni i ndërrimit të emrit të nominuar.
Pra partia fituese e zgjedhjeve ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën vendit si proceduralisht ashtu edhe politikisht. /TV Arbëria