Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gjyqet publike që po varrosin çdo vlerë

Gjyqet publike që po varrosin çdo vlerë

Shkruan: Agron Hoti

Politika e Kosovës gjatë këtyre 25 viteve çlirim, kush më shumë e kush më pak por të gjithë pa përjashtim, ka bërë gabimin kardinal, kur pas çlirimit të Kosovës me apo pa vetëdije, mjerisht ka imituar pothuaj pikë për pikë njërën nga politikat më të poshtra të pushtuesit serb që e kishte projektuar dhe zbatuar pikërisht kundër shqiptarëve.

Me gjasë, kjo po vinte edhe si pasojë e pushtimit mbi 100 vjeçar serb, pasojat e të cilit s’do të shërohen lehtë. Dikush edhe do të thoshte se është vetë Serbia që edhe sot vazhdon ta mbjellë të njëjtën lojë të pistë, për t’i përtharë përpjekjet kombëtare, pra vlerat, shqiptare.

Për fat të keq, politika e Kosovës për të siguruar vota dhe për të ardhur në pushtet rrallëherë, nëse asnjëherë, ka zgjedhur mjete për të arritur qëllime politike. E qëllimet politike ishin ardhja në pushtet duke e rrëzuar kundërshtarin. Politika e Kosovës ka imituar pra gjyqin publik, përmes të cilit Serbia shkatërronte patriotët shqiptarë. E dihet që Serbia krahas terrorit dhe dhunës që mbillte në popullatën shqiptare, organizonte edhe shumë gjyqe publike përmes linçimeve, etiketimeve, thashethemeve e propagandës, për t’ia ulur kështu sa më shumë përkrahjen në popull çfarëdo shpirti patriotik shqiptar. Ishte monopoli i informacionit, të cilin pushtuesi serb e kontrollonte përmes aparatit të dhunës e terrorit, ai që po shkatërronte publikisht çfarëdo shpirti patriotik shqiptar.

Ka qenë pothuajse përditshmëri gjatë pushtimit serb ta shihje të burgosurin apo të përndjekurin politik shqiptar të anashkaluar nga shoqëria dhe pse jo shpesh edhe të poshtëruar nga të gjithë, thua ti se ai apo ajo na paskësh bërë gjënë e keqe për kombin që e kishte lindur e rritur e jo që në fakt kishte bërë gjënë më sublime që mund ta bënte dikush në ato rrethana tepër të rënda kundër pushtuesit.

Serbisë sikur si mjaftonin gjykatat e rregullta që dirigjoheshin tërësisht nga politika, të cilat përndiqnin, dënonin e fusnin në burg rininë shqiptare, ndaj edhe organizonte edhe gjyqe publike, sepse efekti i tyre ishte shumë më i madh në popull, sesa ai i gjykatave të rregullta.

Dhe pikërisht pse Serbia po bënte pafund gjyqe publike kundër çfarëdo shpirti patriotik shqiptar, përkrahja ndaj patriotëve ishte në vazhdimësi e vogël mes popullatës shqiptare të asaj kohe. Po marrim si shembull Adem Demaçin dhe Ukshin Hotin, si dy të burgosurit politikë më të famshëm të asaj kohe, si dy njerëzit që edhe në burg po i pengonin shtetit serb në politikat e tij shoviniste. Serbisë pushtuese sikur s’i mjaftonte burgosja e tyre , ndaj edhe bënte propagandë linçuese, etiketuese e poshtëruese kundër tyre, propagandë kjo e cila edhe sot – edhe pse më heshtur – është e ngulitur nëpër kokat e dikuj dikujt.

Mjerisht, emëruesi i përbashkët i linçimit, etiketimit dhe poshtërimit publik ishte se Demaçi dhe Hoti për pushtuesin serb na paskëshin qenë ‘të çmendur’, ngase po kërkonin përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi. Ndërkohë që Serbia brutalitetin ndaj shqiptarëve e arsyetonte me trillimin se na ishin serbët ata që po rrezikoheshin nga shqiptarët asesi e kundërta.

Praktika e etiketimit ‘të çmendur’ ishte e njohur mirëfilli gjatë periudhës komuniste, sepse gjenezën e praktikimit e kishte para se gjithash në BRSS duke përndjekur e burgosur kundërshtarët e regjimit komunist. Qëllimi ishte i qartë: ulja e përkrahjes publike përmes gjyqeve publike të linçimit, etiketimit dhe pse jo poshtërimit publik.

Putini edhe sot e përdor të njëjtën politikë ndaj kundërshtarëve politikë. Dhe pyetja që e zhveshte politikën serbe e sovjetike të asaj kohe dhe sot është kjo: nëse Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti sipas pushtuesit serb na paskëshin qenë ‘të çmendur’, pse atëherë pushtuesi serb s’i dërgonte nëpër institucionet përkatëse, por i mbante nëpër burgje të rregullta bashkë me të gjithë të burgosurit e tjerë?

Sigurisht që lufta politike mes kundërshtarëve politikë është pothuajse e njëjtë në tërë botën. Por, jo deri në atë masë sa secili secilin ta quajë tradhëtarë dhe shitës të interesave të vendit. Sepse, nëse secili e quan secilin tradhëtar, atëherë natyrshëm lind pyejta: pse vallë Serbia terrorizoi e gjenocidoi miliona shqiptarë qysh para Kongresit të Berlinit e deri në 1999? Nëse të gjithë paskemi qenë tradhëtarë, pse atëherë na luftonte Serbia me tërë aparatin e saj shtetëror?

Pas luftës e deri me sot partitë tona politike kanë luftuar njëra tjetrën me gjyqe publike. Të rralla, nëse asnjë fare, janë rastet kur partitë tona politike t’u jenë drejtuar gjykatave për të hetuar raste korruptive të kundërshtarëve politikë. Nuk e kanë bërë këtë, sepse procedurat gjyqësore nuk i kuptojnë dot qytetarët dhe ato si të tilla nuk i shërbenin shpejtë qëllimit politik e që ishte ulja e përkrahjes qytetare për filan partinë dhe ngritja e tjetrës. Dhe duke i bërë secili secilit gjyqin publik janë futur në një thes edhe inteligjenca dhe profesionistët, të cilët nuk është se ua kanë bërë argatin partive politike, përkundrazi as që i ka pyetur kush fare për ndonjë punë.

Partitë tona politike që nga 1999 e deri me sot vepronin në dy rrafshe, secili më i keq se tjetri:

1) Në rrafshin e brendshëm shpërdoronin burimet njerëzore në funksion të qëllimeve korruptive, sepse inteligjenca dhe profesionistët nuk ua shtynin përpara rend-ditat e tyre korruptive ndaj edhe i largonin apo anashkalonin këtë kategori njerëzish, dhe

2) Në rrafshin e jashtëm sulmonin njëra tjetrën vend e pa vend vetëm e vetëm për t’ia ulur njëra tjetrës përkrahjen popullore, pra i bënin gjyqin publik pa e llogaritur asnjëherë se çfarë efekti përçarës e polarizues do të kishte një qasje e tillë mes qytetarëve.

Mjerisht e njëjta qasje po vazhdon edhe sot dhe është pikërisht kjo qasje që po varros çdo ditë e më shumë vlerën dhe po promovon antivlerën. Kur hesht inteligjenca dhe profesionalizmi, atë vend e ka marrë pusi. Dhe Kosova sot është pikërisht në këtë gjendje: nuk e ke më asnjë zë të arsyes, të cilin qytetari do të mund ta merrte si referencë për përditshmërinë dhe të ardhmen e tij. Ndaj dhe rinia jonë, përfshirë profesionistët, kanë kapur kokën në dorë dhe po ikin me të madhe jashtë vendit.

/TV Arbëria

Themes by WordPress