Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjykimi për vrasjen e dhëndrit me 7 plumba, i akuzuar kërcënon dhe ofendon ish-bashkëshorten e tij në sallën e gjyqit

Gjykimi për vrasjen e dhëndrit me 7 plumba, i akuzuar kërcënon dhe ofendon ish-bashkëshorten e tij në sallën e gjyqit

Dëshmitarja A.P, në seancën e së premtes gjatë dhënies së dëshmisë është përballur me kërcënime dhe ofendime nga ish-bashkëshorti i saj, tani i akuzuarit Tush Frokaj.

Frokaj akuzohet për vrasjen e mikut/dhëndrit A.P., me shtatë plumba në Klinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka pas rrena, dallavere dhe dhunë. Si jena martu kan filluar ato probleme”, tha dëshmitarja P., e cila është motra e të ndjerit A.”.

Ajo tha se i pandehuri Frokaj ka jetuar në Gjermani, ku sipas saj kishte shkuar vetëm për martesë në të zezën pasi që e kishte të ndaluar për pesë vjet për të hyrë në Zvicër, për shkak të veprave penale të kryera.

Sipas dëshmitares, ajo disa herë me ndihmën e avokatëve e kishte nxjerr nga burgu të akuzuarin Frokaj.

Dëshmitarja A.P, tha se gjatë gjithë kohës sa kishte qenë ish-bashkëshorti i saj, i tani i akuzuari Frokaj në burg, vëllau i saj tashmë i ndjerë A. i kishte ndihmuar materialisht, në të gjitha nevojat.

Më pas ajo tha se pas kthimit të ish-bashkëshortit të saj në Kosovë, ajo kishte filluar procedurat për ndarje.

Ditën kur ngjarja kritike kishte ndodhur ajo tha se kishte qenë me nënën e saj në Pejë, ndërsa vëllai i saj D. e kishte telefonuar duke e kërkuar të shkojnë në shtëpi se kishte ndodhur diçka.

“Njëherë nuk e di çka ka ndodh, por rrugës ka thirr qika e madhe e A. tu kajt, e tu bërtit, se a është e vërtetë që e ka vra daja Tush babin”, tha dëshmitarja Prelaj.

Më pas, ajo tha se nuk kishte pasur ndonjë problem në mes të akuzuarit Frokaj dhe vllait të saj, tani të ndjerin A.P.

Pas deklarimeve lidhur me problemet e tyre gjatë dhe pas martesës, në radhën e pyetjeve të akuzuarit Tush, ka filluar kërcënimet dhe ofenduar ndaj dëshmitares A.P.

“Je duft ti mem tregu qe je martu, jo aj, për qata t’ka shku vllau”, kështu iu ka drejtuar i akuzuari Frokaj ish-bashkëshortes, duke vazhduar ta kërcënoi dhe ofendoj të njëjtën, ku kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, largoi të akuzuarin Frokaj nga salla e gjykimit, i cili duke u larguar e kërcënoi edhe me jetë ish-bashkëshorten e tij.

Paraprakisht, në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari okular Fatmir Rrapaj, i cili në ditën kritike kishte qenë me të akuzuarin në kafiterin “Coyota”, duke pirë kafe.

i tha se kishte ardhur i akuzuari i akuzuari Frokaj dhe tani i ndjeri A., ishte zgjuar nga tavolina dhe tha se para lokalit kishte biseduar me të për 6-7 minuta.

Ai tha se ata vetëm i kishte parë por nuk e kishte dëgjuar bisedën e tyre.

“A. më tha se Tushi, ka provon me u bashku me ish gruan e tij, A. Më shumë nuk kemi pas kohë me bisedu se është kthy Tushi, u fut brenda me allti edhe ka gjuajt direkt në tezakun A”, tha dëshmitari Rrapaj.

Në ato momente ai tha se ishte larguar anash dhe nga karriga e kishte parë A. që po bie, atëherë tha se e ka larguar tavolinën dhe karrigën duke e kap dhe duke u munduar t’ia ndaloj gjakderdhjen.

“Nuk e di saktësisht sa here ka gjuajt nja 5-6 herë mu ka dok pa ndërpre. Atëherë ka pas një ndërprerje të shkurtër dhe ka pas përsëri të shtëna nuk e di sa, 3-4 metra ka qenë larg Tushi nga A. kur ka gjujt”, tha dëshmitari okular Fatmir Rrapaj.

Ai tha se kishte qenë i rrezikuar si do njëri tjetër, ngase sipas tij distanca ishte shumë e afërt 3 metra, dhe si pasojë e kësaj ngjarje tha se kishte pësuar trauma, shqetësime dhe stres.

Tutje, dëshmitari tha se kishte qenë e pamundur t’i shmangeshin, ngase gjuajtjet kishin qenë të menjëhershme dhe të shpejta.

Sipas dëshmitarit, ata nuk e kishin biseduar asnjëherë se a kanë pasur probleme i ndjeri A, më parë me të akuzuarin Frokaj.

Nga deklarimi i dëshmisë së tij të dhënë në prokurori ai pohoi të ketë thënë se “mendoj se Tushi këtë e ka bërë duke menduar se qëllimin e ribashkimit të familjes nuk mund ta bëjë sepse ka shkaktuar shumë probleme e si shej hakmarrje ka mundur ta bëjë këtë akt mizor”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, po akuzohet se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj po ngarkohet se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Frokaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishekë të tjerë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë” në Klinë, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar, ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, Frokaj e merr veturën dhe arratiset e ku më pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për veprën penale “Marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319, par.1 i KPRK-së.

Në aktakuzë, prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit, si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën dhe se tani i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.

I akuzuari Frokaj, ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar faktin se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij.

Powered by WordPress