Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gjykimi për shpërlarje parash, dëshmitari thotë se nuk e njeh të akuzuarën

Gjykimi për shpërlarje parash, dëshmitari thotë se nuk e njeh të akuzuarën

Në seancën e së enjtes është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit N.Gj në lidhje me të akuzuarën D.Sh

D.Sh po akuzohet se në bashkëkryerje me babain e saj tashmë të ndjerë B.Sh ka kryer veprën penale shpëlarje parash, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në seancën e sotme, dëshmitari N.Gj, i cili në kohën kur dyshohet se B.Sh ka kryer veprën për të cilën edhe ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë, ka punuar si avokat i pavarur pranë zyrave të Radio Kosovës kishte dëgjuar se i ndjeri kishte përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme para.

Në anën tjetër për të akuzuarën D.SH thotë se nuk e njeh dhe nuk ka punuar asnjëherë me të.

E akuzuara D.Sh, në seancë për veprën penale e cila i ngarkohet është deklaruar e pafajshme.

Tutje në seancën e sotme janë dhënë edhe fjalët hyrëse të Prokurorisë dhe mbrojtjes.

Prokuroria Florie Shamolli ka kërkuar që e akuzuara pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të shpallet fajtore dhe të dënohet siç është e paraparë me ligj.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Arbenita Aliu-Turkaj ka deklaruar se e mbrojtura e saj nuk ka fare të bëjë me aktakuzën, madje i vetmi faj i saj është se është familjare me të ndjerin B.SH.

“Përderisa në këtë seancë jemi të thirrur për të mbrojtur D.Sh për një çast mendova se unë jam duke mbrojtur të ndjerin B.Sh. Them këtë për shkak se Prokuroria në aktakuzën e ngritur të mbrojturën time e përmend në paragrafin e fundit që ka pranuar një dhuratë nga babai i saj i ndjerë”, ka deklaruar avokatja.

Prokuroria, sipas saj, në të njëjtën kohë nuk ka arritur shpjegojë se si ka ardh në përfundim që për dhurata që i marrin fëmijët nga prindërit e tyre me patjetër duhet të kenë dijeni se si prindi i ka fituar apo gjeneruar ato para

Avokatja ka deklaruar se Prokuroria po tenton që të mbrojturën e saj ta mbaj përgjegjëse për veprimet e familjarit të saj dhe se as sot prokuroria nuk ka arritur të demonstrojë se si e mbrojtura e saj është dashur të ketë dijeni për prejardhjen e parave.

Sipas aktakuzës, D.Sh ka qenë në dijeni se paratë të fiturara nga babai i saj kanë pasur prejardhje nga aktiviteti kriminal, dhe edhe pse ka pasur dijeni ose është dashur të ketë dijeni se këto para kanë ardhur nga aktiviteti kriminal i B.SH, ka pranuar shumën prej 27 mijë e 199 euro në kontratën e RPKO shumë të cilën ka përdorur për blerjen e shtëpisë ne lagjën Kalabria ku me këtë e ndihmon babain e saj B.Sh ne kryerjen e vepres penale në bashkryerje Shpërlarje e Parasë në vlerë prej 27 mijë e 199 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parave” nga neni 308 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 32 paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Shpërlarjes së Parave dhe Financim te Terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPK-së

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 prill 2014, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit i akuzuari B.Sh ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar me tre vjet e dy muaj burgim, ku përpos dënimit me burgim, ndaj B.Sh gjykata kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, dhe atë, konfiskimin e pasurisë.

Gjykata B.Sh ia kishte konfiskuar shtëpinë e tij në lagjen “Emshir”, në sipërfaqe prej 298 m2, garazhin me sipërfaqe prej 30 m2 dhe një veturë të tipit “Land Rover”.

Ndaj këtij vendimi kishte bërë ankesë mbrojtësja e Sh, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi duke pretenduar se shkalla e parë ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, për vendimin mbi dënimin dhe për vendimin për konfiskimin.

Me vendimin e 6 tetorit 2015, Apeli, ankesën e avokates lidhur me vendimin mbi dënimin e kishte refuzuar si të pabazuar, ndërsa e kishte aprovuar ankesën vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin plotësues, përkatësisht vendimin për konfiskimin e pasurisë.

Shkalla e dytë ka theksuar se instanca e parë në vendimin për konfiskimin e pasurive përkatëse nuk e ka arsyetuar në mënyrë të saktë vendimin për konfiskimin e secilës pasuri.

B.Sh akuzohej se në vitet 2007 – 2012, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në pozitën shef i kontabilitetit, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka përvetësuar shumën prej 331,350.87 euro.

Sipas aktakuzës, B.Sh, mjetet të cilat i ishin besuar atij si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, nga llogaria bankare e Radio Televizionit të Kosovës, i ka bartur në llogarinë e firmës së tij, NSH “Pastrimi”.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, dëmi që i është shkaktuar Radio Kosovës arrin shumën prej 331,350.87 euro.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhej se B.Sh, si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet e Radio Kosovës kishte blerë 12 radiatorë për ngrohje qendrore, në vlerë të përgjithshme prej 1.061,50 euro.

Këta radiatorë, sipas prokurorisë, i pandehuri Sh i ka përvetësuar për vete duke i dërguar në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës Radio Kosova, i ka shkaktuar dëm material.

Më këto veprime të tij, sipas prokurorisë, i akuzuari B.SH kishte kryer veprën penale “përvetësim në detyrë”.