Në gjykimin ndaj gjashtë zyrtarëve komunalë të Junikut, të akuzuar për korrupsion, gjatë seancës së martë, në Gjykatën Themelore të Pejës është dëgjuar eksperti financiar Agim Sheqiri, i cili tha se autoriteti kontraktues për furnizim apo shërbim të njëjtë paguan çmime të ndryshme
Në këtë rast, Prokuroria e Pejës, ngarkon të pandehurit, Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, eksperti financiar, Agim Sheqiri, tha se mbetet pranë deklarimeve dhe sqarimeve të elaboruara në ekspertizë, me ç’rast prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, nuk kishte më pyetje, duke shtuar se i njëjti kishte dhënë deklaratë në prokurori dhe sqarimet në ekspertizë janë të elaboruara mjaftueshëm.
Eksperti Sheqiri, deklaroi se ligji i prokurimit parasheh tri parime bazike të prokurimit publik, si konkurrenca e drejtë, transparenca dhe mosdriskriminimi apo favorizimi, të cilat parime sipas tij nuk janë respektuar nga autoriteti kontraktues.
“Në kuadër të këtij artikulli të prokurorimit edhe në ekspertizë e kam sqaruar se autoriteti kontraktues nuk i ka respektuar këto parime në mënyrë që të kemi shërbimin sipas parimit. Vlera për paranë që nënkupton çmimi i paguar nuk është në përputhje me vlerën e mallit apo shërbimit edhe si rezultat i një paramase jo të qarë nga autoriteti kontraktues ka ardhur deri të kjo diferencë e çmimeve që nënkupton se autoriteti kontraktues për furnizim apo shërbim të njëjtë paguan çmime të ndryshme siç është fjala për bateritë në lidhje me gjeneratorët apo edhe për pozicionet tjera”, tha eksperti Sheqiri.
Tutje, i njëjti tha se nëse i referohet përmbajtjes së ekspertizës që në cilësi të ekspertit financiar nuk kishte qenë e qartë se si ishte bërë pranimi i shërbimeve nga ana e autoritetit kontraktues të ofruara nga operatori ekonomik kontraktues pasi që me rastin e faturimit nuk janë përshkruar shërbimet apo furnizimet.
Ndër të tjera ai tha se gjatë analizës së dokumentacionit as nuk kishte parë në evidencë për pranim-dorëzim të këtyre shërbimeve me rastin e ndërrimit të pjesëve.
“Bazuar në ekspertizë dhe konstatimet dhe vlerësimet që ka dhënë eksperti i makinerisë ka rezultuar se automjeti nuk përmban këtë profil të gomave. Madje në sqarim e sipër e potencova dhe e kam sqaruar në ekspertizë se në çfarë kohe dhe nga kush është bërë pranim-dorëzimi i këtyre shërbimeve dhe kjo len me kuptu që për këtë fatur procedura e shpenzimit nuk ka qenë në përputhje me rregullat financiare dhe rregullat për prokurim publik pasi që autoriteti kontraktues nuk ka pasur as plan për menaxhim dhe administrim të kontratës në fjalë”, tha eksperti Shaqiri.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Isufaj, avokati Sherif Malushaj, tha se kishte vërejtje në ekspertizë pasi që sipas dispozitave ligjore eksperti nuk mund të shpreh mendime lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit në këtë procedurë, ku sipas tij dhe neni 3 thotë që raporti i ekspertit që nuk është në pajtim me këtë nen nuk është i pranishëm dhe mbi këtë bazë i propozoi gjykatës që ekspertizës në fjalë të mos ia fal besimin.
Më pas, në këtë seancë u dëgjua edhe eksperti i makinerisë, Avdullah Hoxha, i cili tha se qëndron pranë ekspertizës dhe prokurorja Disha-Haxhosaj, nuk kishte pyetje as ndaj tij, me arsyetimin se i njëjti kishte përshkruar saktë të gjeturat lidhur me këtë ekspertizë, duke i bashkangjitur edhe fotografitë e automjetit në fjalë dhe punëve të kryera.
Pas administrimit të provave, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar me një datë tjetër, ku pritet të dëgjohet dëshmitari Betim Isufaj.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon gjashtë zyrtarët e Komunës se Junikut, Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës, Qaush Krasniqi, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit për tenderin e mirëmbajtjes dhe servisimin e automjeteve të komunës, kishte pranuar fatura të pa verifikuara, duke miratuar pagesat në kundërshtim me LMFP dhe Rregulloren e Thesarit, dhe si rrjedhojë e kësaj pagesa për shërbimet e pakryera nga operatori ekonomik “Juniku Reisen”, me menaxher të akuzuarin Albian Shehu, ku për pasojë buxheti i Komunës Junikut u dëmtua prej 4 mijë e 9 euro e 84 centë.
I akuzuari Albian Shehu sipas aktakuzës, me qëllim që të vë në lajthim organin kompetent, me dashje kishte futur të dhëna jo të sakta në faturat për shërbimet e mirëmbajtjes dhe servisimit të automjeteve, me qëllim të përfitimit të padrejtë.
I akuzuari Fatmir Isufaj, po akuzohet se si menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Junikut, me dashje i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për operatorin ekonomik “Juniku Reisen”, duke e pranuar dhe nënshkruar një ofertë joserioze- kontratë me këtë të fundit lidhur me aktivitetin e prokurimit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, si persona zyrtarë në Komunën e Junikut, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke i mundësuar parfumimin e kundërligjshëm operatorit ekonomik “Juniku Reisen”, ku ishin caktuar si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave dhe të njëjtit pasi që i kanë vlerësuar ofertën e operatorit të lartcekur, e kanë rekomanduar për kontratë edhe pse oferta nuk i ka plotësuar as për së afërmi kriteret kualifikuese.