Dëshmitari Selajdin Syla, në cilësinë e udhëheqësit të masave të sforcuara (konfiskimit) të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për mospagesë tatimi në Administratën Tatimore të Kosovës, deklaroio se dyshimet kanë qenë se është nënshkruar një dokument nga tani i akuzuari Malush Kelmendi, e të cilin e ka dërguar në Zyrën Kadastrale në regjionin e Pejës pa dijeninë e udhëheqësit të ekipit.
Në këtë rast, Kelmendi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Syla ka deklaruar se zyrtarët nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë dokumentin për lirim nga barra tatimore.
Po ashtu, ai tha se dokumentin e lëshimit nga barra tatimore për biznesin që përmendet në aktakuzë, nuk e kishte parë.
“Pasi që jam ardhë nga pushimi, jam ftuar nga Policia për të dhënë deklaratë dhe e kam pa që biznesi ka pas disa obligime tatimore”, tha Syla.
Dëshmitari theksoi se nuk e di vlerën e saktë të obligimeve, por që pas këtij rasti, subjekti në fjalë i ka përmbushur obligimet që ka pasur.
Sipas dëshmitarit Syla, ndodh që rasti të kalojë nga një zyrtar tek tjetri, mirëpo për këtë duhet aprovim i eprorit, ndërsa vetëm sa për të kryer ndonjë aktivitet mund të bëhet kalimi i rastit mes kolegësh.
I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Fatmir Kurmehaj, dëshmitari Syla tha se ATK-ja duhet të heq barrën tatimore vetëm kur borxhi është zero.
Kurse, për rastin konkret tha se nuk e di dhe se për këtë zyra ligjore mund ta interpretojë më mirë ligjin. Tha se lirimin nga barra tatimore e bën zyrtari që e ka rastin, ai është përgjegjës edhe për lirm.
Gjithashtu, Syla tha se në momentin e vjetërsimit të një obligimi për të kaluar te fshirja e borxheve, janë disa kritere që duhet të plotësohen, e që në rastin konkret nuk është në dijeni nëse rasti konkret ka shkuar në divizionin për anulim të borxheve.
Po ashtu, ai tha se afati i vjetërsimit të borxhit ka qenë 6-vjeçar në kohën kur ka ndodhur rasti për të cilin ngarkohet Kelmendi.
Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të vitit 2023, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se më 19 maj 2023, në cilësinë e zyrtarit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës, në zyrën e tij, ka marrë veprime të paautorizuara, duke krijuar dokumentin – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njëjtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur dhe nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar, në këtë rast kolegu i tij, Arsim Ibrahimi përgjegjës për kryerjen e një veprimi të tillë.
Me këtë, i akuzuari Kelmendi akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Kelmendi, në të njëjtën datë si më lartë, si person zyrtar, në dokumentin zyrtar- certifikatën e lirimit të barrës tatimore, ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH “Jetaedifarm”, me pronar Afrim Radoniqi, të cilin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër protokolli fiktiv (numrin 554), i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së Detyrueshme.
Tutje, thuhet se këtë dokument që përmban plotësisht të dhëna të rreme, e ka dorëzuar personalisht më 19 maj 2023 në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjektit tatimor, pronarit Afrim Radoniqi, t’i zhbllokohen pronat të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, i pandehuri Kelmendi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 paragrafi 1 i KPRK-së.