Në vazhdim të dëshmisë së tij, të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj ka folur për hierarkinë raportuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë pjesë të seancë, dëshmitari është marrë në pyetje nga gjyqtari Guénawl Mettraux, i cili u fokusua të hierarkinë raportuese duke filluar nga Policia Ushtarake e Brigadës 162, deri të Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
I pyetur se a ishte Xhabir Elezi komandant i Policisë Ushtarake të Brigadës 162, dëshmitari tha se në bazë të atij dokumenti po.
“Ka qenë kompetencë e Komandantit të Brigadës dhe unë nuk e kam vendosur në atë detyrë”, tha dëshmitari Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Mettraux pasi e lexoi një deklaratë të dëshmitarit dhënë për ZPS-së, ku ai kishte thënë se Xhabir Elezi i raportonte Qamil Iliazit (Komandant i Brigades 162 në Kaçanik), e pyeti se a i qëndron kësaj deklarate.
“Mund të kem thënë, megjithatë prapë po e përsëris, kompetenca e mia nuk kanë qenë me ditë se kujt-kush i raporton”, tha Kurtaj.
Kurse, dëshmitari u ballafaqua edhe me një deklaratë tjetër të dhënë për ZPS-në, ku sipas gjyqtarit në pyetjen se kujt i raporton Komandanti i Zonës, dëshmitari ishte përgjigjur se ai nuk ka qenë komandant Zone, por normalisht i raporton Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.