Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, analisti: Kur u votua nuk u pyet asnjëherë populli i Kosovës, por vendosën dhe e votuan ata vet me dorën e tyre…

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, analisti: Kur u votua nuk u pyet asnjëherë populli i Kosovës, por vendosën dhe e votuan ata vet me dorën e tyre…

Tashmë kanë kaluar katër vite që kur janë arrestuar ish krerët e UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, shkruan TV Arbëria.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë ende duke u gjykuar në Hagë

Ndërsa Sali Mustafa është dënuar fillimisht me 26 vite burgim nga Specialja, më pastaj iu ulë dënimi nga gjykata e apelit në 22 vite, i dënuari tjetër është edhe Pjetër Shala me 18 vite burgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, më pastaj apeli ua uli dënimin për tre muaj.

Rreth këtij procesi për TV Arbëria ka folur analisti Gani Qarri, ai ka thënë pas votimit të “Zajednicës” ne Kuvend, Gjykata Speciale është akti më i votuar.

“Në fakt ata që tash e katër vite ndodhen nën arrest, dhe po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, formimin e saj, e miratuan vet, me shumicën absolute të votave të deputetëve, që pas votimit të “zajednicës”, është akti më i votuar në Kuvend, dhe votime të tilla masive, është shumë e habitshme se, për mese 25 vite, nga çlirimi e këndej, nuk kanë arrit të ndodhin as të organizohen, asnjëherë dhe për asnjë akt, në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Kurse në procesin i cili po vazhdon të zhvillohet në Hagë, pas qindra vrasjeve të pazbardhura asnjëherë, që ndodhën para dhe pas luftës në Kosovë, të pandehurit akuzohen për 103 vrasje, 100 prej të cilëve shqiptar, ndaj nëse edhe këto, arrin të vërtetohen gjatë procesit të gjykimit nga Gjykata Speciale, nuk besojë se ka qytetar, i cili nuk do të zhgënjehej në mënyrën më të keqe dhe në vend të dhembjes e solidaritetit të shpreh indinjatën e thellë ndaj të akuzuarve dhe pajtimin me vendimet e Gjykatës të çfarëdo mënyre dhe mase qofshin ato’, ka thënë Qarri.

Tutje analisti flet për letrën private “konfidenciale” të ish-negociatorit britanik Robert Cooper.

“Kjo edhe për shkak të veprimeve tjera konspirative në dëm të shtetit të Kosovës, siç u vërtetua nga një letër private “konfidenciale” e ish-negociatorit britanik Robert Cooper, të Bashkimit Evropian në Bruksel, të angazhuar nga Baronesha Ashton, në bisedimet Kosovë-Serbi, që pati shokuar gjithë opinionin publik vendor e ndërkombëtar duke zbuluar mbajtjen e negociatave sekrete të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës, aventurë e rrezikshme, e dëshmuar nga letra konfidenciale e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, e cila nxirrte për fushe prapaskenat e negociatave sekrete që, atëbotë nga Thaçi zhvilloheshin fshehurazi me Serbinë, për ndarjen e Kosovës

Madje siç sqaronte vet zoti Cooper, ideja e proklamuar nga Thaçi, si shkëmbim i shumëpërfolur i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fakt nuk kishte të bënte fare me asnjë shkëmbim, por siç shprehet z. Cooper, Serbia do ta merrte veriun e Kosovës, ndërsa Kosova asnjë kompensim territorial, me idenë se në këtë mënyrë do të “paguhej” njohja dhe Serbia do ta njihte eventualisht Kosovën, por që në realitet, nuk kishte asgjë të sigurt, se vërtetë Kosova do merrte njohjen e supozuar.

Konstatimet (e letrës së z. Cooper) për bisedimet e fshehta të Hashim Thaçit me Serbinë për ndarjen e Kosovës, nuk u zbuluan nga Thaçi as nga partia e tij, por u nxorën në shesh, me rastin e një vizite që anëtarët e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë të kryesuar nga negociatori britanik z. Robert Copper, u zhvillua me 17 dhe 18 tetor, të vitit 2018, në Serbi, pra ende pa kaluar as 3 muaj të plotë, nga takim i Alpbachut në Austri, ku Hashim Thaçi me 25 korrik të vitit 2018, kërkoi publikisht para kamerave televizive, ndarjen e Kosovës.

Për aq më tepër, derisa këtë akt, Thaçi u përpoq ta formulonte si nevojë, për korrigjimin e kufijve, me Serbinë, ai pothuajse njëkohësisht me kërkesat e tij, kishte porositur edhe këshilltaren e vet dhe të Kadri Veseli Dhurata Hoxha që në emër të ministres për integrimet evropiane, në Qeverinë e PAN-it të kryesuar nga Ramush Haradiunaj, të paguante me parat e taksapaguesve tanë, kompaninë franceze Majorelle PR & Event, për propagandimin e ndarjes së Kosovës edhe në kryeqytetet e vendeve më të mëdha evropiane dhe botërore!

Ishte maj i vitit 2020, kur BIRN do të zbulonte se Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha i kishte paguar kompanisë franceze Majorelle Pr & Event me seli në Paris 168,000 euro të taksapaguesve të Kosovës, për promovimin e idesë se “modifikimit të territorit” në dialogun Kosovë – Serbi, e si rezultat në këmbim të pagesës prej 168 mijë eurove, për të cilën kundër Dhurata Hoxhës, në Kosovë do të ngrihej edhe padi penale, kompania franceze “Majorelle PR & Events” me 20 shtator të vitit 2019, nxori vetëm një raport prej 5 faqesh, ku e bënte të qartë se agjenda që po ndiqte Kosova në bisedimet ndërmjet të dy vendeve, ishte përqendruar në modifikimin e kufirit territorial, raport i cili do ti përcillej edhe ambasadorit të atëhershëm të Kosovës në Francë.

Tutje analisti përmend edhe 8300 hektar tokë të Kosovës, që iu falën Malit të Zi.

“Mjerisht edhe zhvillimet për “modifikimin” e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, tingëllojnë sikur u ble njohja nga ky vend, po në këtë mënyrë dhe me veprime pothuajse të ngjashme, të cilit Qeveria e PAN-it, ia fali mese 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, siç kishin vepruar të njëjtit njerëz dhe “udhëheqës të luftës e të paqes”, edhe me FYROM-in, duke ia falur edhe asaj mese 2500 hektar tokë të Kosovës në pjesët më strategjike të Debëlldesë, në kufi me Maqedonin veriore.
Ata të cilët tash e katër vite ndodhen nën arrest, e po gjykohen nga Gjykata Speciale në procesin i cili vazhdon të zhvillohet në Hagë, akuzohen edhe për 103 vrasje, 100 prej të cilëve shqiptar, ndaj nëse edhe këto, arrin të vërtetohen nga kjo Gjykata, gjatë procesit të gjykimit, nuk besojë se ka qytetar, i cili nuk do të zhgënjehej në mënyrën më të keqe dhe në vend të dhembjes e solidaritetit të shpreh indinjatën ndaj të akuzuarve dhe pajtimin me Gjykatën.

Edhe sa i takon Gjykatës Speciale, formimin e saj, ata e miratuan vet, me shumicën absolute të votave të deputetëve, që pas votimit të “zajednicës”, është akti më i votuar në Kuvend, dhe votime të tilla masive, është shumë e habitshme se, për mese 25 vite, nga çlirimi, nuk kanë arrit të ndodhin as të organizohen, asnjëherë dhe për asnjë akt, në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Shto gjithë kësaj argumentin tjetër shumë domethënë, se edhe për ata, që sot e 4 vite ndodhen në Hagë, nuk vendosi as nuk u pyet asnjëherë populli i Kosovës, para as pas votimit të Gjykatës Speciale, por vendosën dhe e votuan ata vet me dorën e tyre, e duke qenë se edhe procesi po shkon drejt fundit, sado që në mënyrë tejet të ngadaltë, tani duhet të presim, jemi të detyruar dhe nuk kemi rrugëdalje tjetër, përveçse ta shohim realitetin, ta njohim të vërtetën dhe shprehim mendimin tonë, “pro apo kundër” vendimeve që do të jepen, në varësi nga pesha e veprave që ata mund të kenë kryer, siç akuzohen nga Gjykata Speciale, edhe për faktin se një gjykatë evropiane “nën juridiksion” të Kosovës, nuk mund të mbaj askënd në burg pa prova, dhe as të dënojë njerëz të pa fajshëm, nëse vërtetë nuk arrijnë të dëshmohen veprat për të cilat ata akuzohen!”, ka komentuar tutje analisti në një përgjigje për TV Arbëria.

Powered by WordPress