Gjykata Speciale ka konfirmuar se në shtator të 2022-së kishte pranuar një letër nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke bërë të ditur se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, i është përgjigjur Kurtit duke sqaruar se vendimet për paraburgim merren nga paneli kompetent i gjykatësve në secilin rast.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në një përgjigje për Albanian Post ka dhënë detaje nga përgjigja që Kurti kishte pranuar para tre vjetësh.
“Një letër e Kryeministrit Kurti u dërgua Presidentes në shtator 2022 dhe ajo ka reaguar ndaj kësaj letre. Në përgjigjen e saj, kryetarja ka theksuar se Dhomat Speciale të Kosovës (DhSK) dhe gjykatësit janë të pavarur në funksionimin e tyre dhe se po zhvillojnë gjykime brenda kuadrit ligjor të DhSK-së dhe sipas standardeve më të larta të të drejtave të njeriut”.
“Ajo gjithashtu ka theksuar se vendimet për paraburgim merren nga paneli kompetent i gjykatësve në secilin rast, dhe jo nga Presidentja”, ka thënë Doyle për AP.
Kurti, të mërkurën ndërsa ka kujtuar pesë vjetorin e arrestimit të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me të ashtuquajtura akuza për krime lufte nga Gjykata Speciale, ka vlerësuar nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.
Ai për herë të parë ka bërë të ditur se si kryeministër ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi dhe se për këtë në vitin 2022 ka dërguar letër kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, shkruan Albanian Post.
Më 4 dhe 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky proces gjyqësor nisi në prill të vitit 2023 dhe aktualisht po vazhdon dëshmia e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja, ndërkohë që dëshmitarët e thirrur nga prokuroria përfunduan dëshminë e tyre në prill të këtij viti.
Organizatat që dalin nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen përballë kësaj padrejtësie historike.
Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020. Ajo i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.