Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gjykatësi Kastrati qëndron në lokalin e pronarit që vetë e kishte dënuar

Gjykatësi Kastrati qëndron në lokalin e pronarit që vetë e kishte dënuar

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Gani Kastrati, bashkë me prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren, Musli Gashi dhe Genc Nixha, janë xhiruar nga “Betimi për Drejtësi” teksa qëndrojnë në lokalin e një personi me dhjetëra incidente, në 11 prej të cilave kishte qenë i dyshuar.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren qasje në dosjen e pronarit, Veton Gavazaj, mirëpo të njëjtit me arsyetimin se personi në fjalë nuk është fytyrë publike e kanë refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike.

Ndaj këtij vendimi, “Betimi për Drejtësi” ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Mirëpo, bazuar në një aktgjykim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, për falsifikim të dokumentarit zyrtar, Gavazaj rezulton të jetë dënuar vetëm me gjobë.

“Sepse me datë 03.05.2013 në Prizren, në kohë dhe vend të pa përcaktuar, nënshkruan autorizimin e përpiluar nga i akuzuari i parë av. Ymer Koro, në emër dhe në vend të autorizim dhënesit Isak Shantir i cili person nuk ekziston përkatësisht është i vdekur prej datë 16.10.1992 me qëllim të shfrytëzimit të këtij autorizimi të falsifikuar si dokument origjinal, për t’i mundësuar përfaqësimin në Gjykatën Themelore të Prizrenit, me lëndën e ekzekutimit të aktgjykimit të Gjykatës Komunale, i cili aktgjykim është në emër të personit të vdekur Isak Shantirit”, thuhet në aktgjykim.

Në këtë rast pjesë e trupit gjykues rezulton të ketë qenë gjykatësi Kastrati, i cili ndërhyri kur Gavazaj kanosi kameramanin e “Betimit për Drejtësi”.

Pas pranimit të këtij dokumenti, Kastrati është telefonuar sërish, për tu pyetur nëse e she si problematike faktin se si gjykatës qëndron në lokalin e një personi që vetë e ka dënuar.

Mirëpo, ai është arsyetuar se aty qëndrojnë dhe prokurorë dhe gjykatës të tjerë.

“Gazetarja: Pse vazhdoni me qëndru në lokal të një personi të cilin ju e keni dënu dhe a shihni ju si gjyqtar problematike qëndrimin në lokalin e tij?

Kastrati: Ju lutëm unë njëherë dy kam qenë më nuk e frekuentoj atë lokal, dëgjo, e nderuar, s’po muj me të komentu këtu tash në telefon, hajde bisedojmë, prej atij momenti që ka ndodh ngjarja unë nuk shkoj. Unë kam qenë anëtar i kolegjit unë se njoft as.

Gazetarja: Në fakt ju atë ditë më keni thënë që keni shku edhe më herët në lokal në vazhdimësi dhe keni pi çaj dhe kafe.

Kastrati: Po kemi shku si zakonisht jo vetëm unë po edhe kolegët gjyqtarët e tjerë e prokurorët tjerë.

Gazetarja: Megjithatë ju keni qenë pjesë e trupit gjykues që e keni dënu zotërin Gavazaj.

Kastrati: Po dëgjo, ajo është e djalit të vllaut të atij.

Gazetarja: ky ka tregu për neve dhe ka thënë që është pronar bashkë me djalin e valluat.

Kastrati: A e din çka mos përdorë kurgjo çka bisedum hajde në zyrë dhe bisedojmë ma shtrut.

Gazetarja: Mua më duhet prononcim zotëri Kastrati.

Kastrati: E nderume unë kom harru kur kam harru kur kam qenë anëtar i kolegjit, unë atëherë kam qenë kundërvajtje kur kam qenë anëtar i kolegjit, a po kupton, unë anëtar kam qenë gjyqtar për kundërvatje.

Gazetarja: Po, megjithatë keni qenë pjesë e trupit gjykues.

Kastrati: Unë veç kam qenë prezent, nuk e di cilin vit ka qenë ky rast po e di që atëherë kam qenë kundërvajtje kur unë kam qenë anëtar i kolegjit kryetar i trupit ka qenë Skender Cocaj dhe nuk e di kush.

Gazetarja: Po a nuk e shihni problematike ju gjyqtar me qëndru në lokalin e një personi që vetë e keni dënu?

Kastrati: A bon bre se i kom edhe do palë se përmes telefoni nuk mundemi kurgjo me komentu, nëse je e intersume hajde në zyre ose bisedojmë ditë tjerë. Mos këshu këto mënyra.

Gazetarja: Mirëpo mu më duhet prononcim me kamerë zotëri Kastrati

Kastrati: E nderuar, unë nuk kam çka me komentu kurgjo, nëse e jeni e intersume hajde në zyrë përndryshe mos të del kurgjo prej telefonit.

Gazetarja: A bisedojmë me kamerë? Jo mua më duhet prononcim për ata ju thirra dhe për ata ju zhvillova pyetjet zotëri Kastrati për me marrë prononcim.

Kastrati: E nderume, kom harru ky rast kur është mbajt kam qenë gjyqtar i kundërvatjes.
Gazetarja: Mirëpo ju po e mbani mend si rast se e përmendet vet kush ka qenë kryetar i trupit gjykues.

Kastrati: E nderuar, me gjithë respektin që kom i kom palët këtu në zyrë mos më pengo të lutëm, kaloni mirë gjitha të mirat”, ka thënë Kastrati.