Presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar për Tribunalet Penale (MMKS), Graciela Gatti Santana, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të parakohshëm dhe transferimin në Serbi për arsye ‘humanitare’.
Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Mbrojtja e tij më 18 gusht kishte kërkuar lirimin me kusht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kërkesa parashihte transferimin e drejtpërdrejtë të tij në një spital ose institucion për kujdes paliativ në Serbi, nën mbikëqyrjen e autoriteteve serbe dhe me kushte të tjera që do t’i përcaktonte MMKS-ja.
Megjithatë, Gatti Santana vlerësoi se, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, rrethanat humanitare nuk e justifikojnë një masë të jashtëzakonshme si lirimi i parakohshëm. Ajo theksoi se edhe në kushtet aktuale, dinjiteti njerëzor i Mlladiqit po respektohet plotësisht.
Kjo nuk është hera e parë që mbrojtja e Mlladiqit kërkon lirimin e tij për shkak të problemeve shëndetësore.
Mlladiqi u arrestua në Serbi në vitin 2011 dhe më pas u ekstradua në Hagë, ku u përball me akuzat për krime lufte. Sipas ekspertëve të cituar nga mediat, në momentin e arrestimit ai ishte në gjendje shumë të rënduar shëndetësore dhe kishte dyshime se mund të mos jetonte mjaftueshëm për të përfunduar procesin gjyqësor.
Ratko Mlladiqi u dënua përfundimisht në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.
Kërkesat e mëparshme për lirimin e tij për shkak të gjendjes shëndetësore janë refuzuar gjithashtu.