Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjykata Speciale vendos standard të ri: Qasja në telefon pa urdhër gjyqësor shpallet kundërkushtetuese

Gjykata Speciale vendos standard të ri: Qasja në telefon pa urdhër gjyqësor shpallet kundërkushtetuese

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marrë një vendim historik, duke sanksionuar se hapja dhe ekzaminimi i telefonave pa urdhër gjyqësor është kundërkushtetuese. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Faton Fetahu, i cili e cilësoi këtë si një pikë kthese në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.

Sipas Fetahut, për më shumë se dy dekada prokurorët e shtetit kanë urdhëruar hapjen e telefonave të personave të përfshirë në procedura penale pa autorizim gjyqësor, duke vepruar në kundërshtim me nenin 36(3) të Kushtetutës. Vendimi i ri, sipas tij, vendos një standard të paprecedent dhe i jep fund një praktike të dëmshme që ka prodhuar qindra prova të papranueshme dhe madje edhe dënime të padrejta.

Avokati shprehu mirënjohje për trupin gjykues në përbërje të Lutfi Shalës (kryetar), Vesel Ismailit dhe Rrahman Beqirit, të cilët – siç tha ai – e kthyen të drejtën kushtetuese në privatësi në mburojë konkrete për qytetarët. Sipas tij, vendimi ua bën të qartë institucioneve të drejtësisë se fshehtësia e komunikimeve, mesazheve dhe të dhënave personale mund të kufizohet vetëm me vendim gjyqësor dhe vetëm në proporcionalitet me nevojat e hetimit.

Fetahu theksoi se ky vendim prek drejtpërdrejt çdo qytetar, pasi nga sot telefonat janë të mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare. Ai nënvizoi se siguria juridike rritet, shteti i së drejtës forcohet, dhe prokurorët nuk mund të ushtrojnë më kompetenca që Kushtetuta ia njeh vetëm gjykatës.

Në deklaratën e tij, avokati rikujtoi edhe rastin e klientit të tij, Sh.P., i cili ka kaluar më shumë se dy vite në paraburgim mbi bazën e provave që tashmë janë shpallur të marra në mënyrë të kundërligjshme dhe madje të dyshuara për manipulim. Ky vendim, sipas tij, është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të kësaj padrejtësie dhe etablon një precedent që mbron të tjerët nga raste të ngjashme.

Fetahu u bëri thirrje organeve të prokurorisë të reflektojnë dhe të ndalin menjëherë praktikat e paautorizuara të ekzaminimit të telefonave, duke theksuar se dhjetëra apo qindra aktakuza ndër vite janë bazuar në prova të paligjshme.

Sipas tij, kjo është jo vetëm një fitore profesionale, por mbi të gjitha një fitore për qytetarët dhe për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese në Kosovë.