Një gjykatë ruse dënoi me gati shtatë vjet burg një amerikan 72-vjeçar, në një gjyq me dyer të mbyllura, nën akuzat se kishte luftuar si mercenar me ushtrinë ukrainase.
Prokurorët rusë e akuzuan amerikanin Stephen Hubbard se kishte nënshkruar një kontratë me ushtrinë ukrainase pas fillimit të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Zoti Hubbard akuzohet se kishte luftuar me trupat ukrainase deri para kapjes së tij dy muaj më vonë.
Ai u dënua të hënën me 6 vjet e 10 muaj në një burg të sigurisë së zakonshme. Prokurorët kishin kërkuan një dënim prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë maksimale.
72-vjeçari Hubbard është nga shteti i Miçiganit dhe është amerikani i parë që dihet që është dënuar nën akuzat se ka luftuar si mercenar në konfliktin ukrainas.
Akuzat parashikonin një dënim deri në 15 vjet, ndërsa prokurorët kërkuan që të merrej parasysh mosha e tij dhe pranimi i fajit, njofton media ruse.
Arrestimet e amerikanëve në Rusi janë bërë gjithnjë e më të zakonshme gjatë viteve të fundit.
Ndërkohë janë shtuar shqetësimet se Rusia po arreston qëllimisht shtetasit amerikanë për t’i përdorur më vonë për t’i shkëmbyer ata me rusët e dënuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Po ashtu të hënën, një gjykatë në qytetin Voronezh dënoi me shtatë vjet e 1 muaj burg amerikanin Robert Gilman, për gjoja sulm ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit ndërsa vuante dënimin për një sulm tjetër.
Sipas shtypit rus, zoti Gilman u arrestua në vitin 2022 për shkak të rrëmujës që shkaktoi në një tren pasagjerësh nën influencën e alkoolit dhe më pas goditi një polic ndërsa ishte në paraburgim. Ai po vuan dënimin me 3 vjet e gjysmë për këtë akuzë. /VOA