Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim, arrest shtëpiak për zyrtarin që dyshohet se keqpërdori pozitën zyrtare

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim, arrest shtëpiak për zyrtarin që dyshohet se keqpërdori pozitën zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak të pandehurit M.B., i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Gazeta Sinjali.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda e refuzoi si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, arresti shtëpiak u vlerësua si masë e mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e veprës penale dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës.

Gjykata e ka ngarkuar Stacionin Policor në Lipjan ta mbikëqyrë zbatimin e masës dhe ta njoftojë menjëherë për çdo shkelje. Nëse M.B. nuk e respekton aktvendimin, masa e arrestit shtëpiak do të zëvendësohet me paraburgim.

Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj aktvendimit në Gjykatën e Apelit.

M.B. prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.