Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjykata e Prishtinës e shpall fajtor dhe e dënon Dushan Drobacin, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

Gjykata e Prishtinës e shpall fajtor dhe e dënon Dushan Drobacin, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

Dushan Drobac është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës nën akuzën se në bashkëkryerje e ka kryer veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar, dhe – pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtarja Violeta Namani Hajra.Sipas aktgjykimit te shpallur, Gjykata të pandehurit Dushan Drobac për veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa sipas aktgjykimit të shpallur për veprën penale -pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim në gjobë në shumën 15,000 euro, të cilin dënim duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, jo më gjatë se 3 muaj pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Po ashtu gjyqtarja Namani Hajra tha se të akuzuarit i vazhdohet edhe masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në këtë aktgjykim për të cilin vendim gjykata do të marrë vendim të veçantë dhe palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi.

Kjo çështje penale mori epilog pasi që paraprakisht para shpalljes së aktgjykimit është bërë aprovimi nga ana e Gjykatës lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Dushan Drobac./kallxo/