Gjykata e Lartë vendosi të mërkurën që ta lejojë shtetin e Virxhinias që të rifillojë procesin e pastrimit të listave të votuesve. Virxhinia thotë se procesi synon të pengojë votimin e atyre që nuk janë shtetas amerikanë.
Vendimi 6-3 i Gjykatës së Lartë, me të tre anëtarët liberalë që votuan kundër, erdhi pas një kërkese emergjente për shqyrtim nga nga guvernatori republikan Glenn Youngkin i shtetit të Virxhinias. Gjykata nuk e shpjegoi vendimin e saj, çka është tipike në rastet e kërkesave urgjente.
Guvernatori Youngkin iu drejtua Gjykatës së Lartë, pasi një gjykatës federal e kishte bllokuar vazhdimin e pastrimit të listave, duke thënë se ky shtet kishte hequr në mënyrë të paligjshme më shumë se 1600 individë nga regjistri i votuesve gjatë dy muajve të fundit. Shteti i Virxhinias tha se zyrtarët kishin arritur në përfundimin se rreth 1600 individë në listat e votuesve nuk ishin shtetas amerikanë.
Edhe një gjykatë federale apeli nuk e kishte ndryshuar vendimin e gjykatësit të mëparshëm.
Janë të rralla rastet e votimit të atyre që nuk janë shtetas amerikanë. Por kandidati republikan për president, Donald Trump dhe republikanë të tjerë kanë qenë të zëshëm në aludimet e tyre mbi mundësinë e votimit të emigrantëve në zgjedhjet presidenciale.
Ish Presidenti Trump i kritikoi vendimet e mëparshme të gjykatave që e ndaluan shtetin e Virxhinias të pastronte regjistrin e votuesve. Përmes shkrimeve në mediat sociale Trump e quajti vendimin e gjykatësve “një absurditet krejtësisht të papranueshëm”.
“Vetëm shtetasit amerikanë duhet të lejohen të votojnë”, shkroi Trump.
Në fillim të tetorit, Departamenti i Drejtësisë dhe një koalicion grupesh private ngritën një aktpadi kundër shtetit të Virxhinias, duke argumentuar se në bazë të një urdhri ekzekutiv të lëshuar në muajin gusht nga guvernatori Youngkin, zyrtarët e zgjedhjeve po fshinin nga listat emrat e votuesve në kundërshtim me ligjin federal për zgjedhjet.
Ligji Kombëtar për Regjistrimin e Votuesve kërkon një “periudhë të qetë” 90-ditore përpara zgjedhjeve për mirëmbajtjen e regjistrit të votuesve, në mënyrë që votuesit e ligjshëm të mos hiqen nga listat për shkak të gabimeve burokratike, ose të minutës së fundit që nuk mund të korrigjohen shpejt.
Guvernatori Youngkin e nënshkroi urdhrin më 7 gusht, ditën e 90-të përpara zgjedhjeve.
Urdhri ekzekutiv kërkon kontrollin ditor të të dhënave të zyrës së shtetit që lëshon patentën e shoferit (dokumenti që përdoret si kartë identiteti në ShBA) dhe ballafaqimin e tyre me listat e votuesve për të identifikuar ata që nuk janë shtetas amerikanë.
Gjykatësja Patricia Giles tha në vendimin e saj se zyrtarët zgjedhorë mund t’i heqin emrat në baza individuale, por jo përmes një procesi pastrimesh sistematike.
Sipas grupeve për të drejtën e votës, përfshirë Ligën e Grave Votuese të Virxhinias, që ngriti padinë më 7 tetor, të paktën 18 shtetas amerikanë ishin fshirë gabimisht nga listat e votuesve pas urdhrit ekzekutiv.
Virxhinia ka rreth 6 milionë votues. Personat që janë fshirë nga lista, kanë të drejtë të shkojnë në zyrën e lëshimit të patentave dhe të provojnë se janë shtetas amerikanë duke u regjistruar për të votuar. Në Virxhinia regjistrimi për të votuar mund të bëhet deri në ditën e zgjedhjeve./VOA