Gjykata Themelore në Gjilan ka thënë se aktualisht nuk ka lëndë aktive në këtë gjykatë ndaj Mefail Shkodrës, të dyshuarit për vrasjen e trefishtë dje në Gjilan.
Sipas kësaj Gjykate, Shkodra ka pasur tre lëndë penale përgjatë viteve dhe të trijat janë përfunduar me aktgjykim dënues.
“- Në vitin 2018 (PKR.nr.198/2018), është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është gjykuar duke shpallur fajtor të njëjtin dhe është dënuar;
– Në vitin 2014 (P.nr.610/2014) është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale nga neni 320 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar dhe
– Në vitin 2011 (P.nr.343/2011), është akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 356 i KPRK-së, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpall fajtor nga kjo Gjykatë.”, thuhet në njoftim.
Sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale të Gjykatës për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotëfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.