Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjykata e Apelit aprovon ankesën e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” – Përparim Rama: E drejta triumfon!

Gjykata e Apelit aprovon ankesën e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” – Përparim Rama: E drejta triumfon!

Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se ka fituar betejën në Gjykatë me ministrinë e Kulturës që drejtohet nga Hajrullah Çeku, për çështjen e sheshit Xhorxh Bush.

Lajmin e ka bërë publik kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka reaguar menjëherë pas vendimit me mesazhin: “E drejta triumfon!”

“Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se transformimi urban i kryeqytetit nuk është vetëm çështje estetike, por një strategji afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët.

“Qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon këmbësorëve, jo makinave,” shtoi ai.

Rama theksoi se iniciativa për shndërrimin e rrugës në shesh publik është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira evropiane, duke përmendur disa nga përfitimet kryesore:

✅ Reduktimi i ndotjes së ajrit (PM10 dhe NO₂) – si çështje e shëndetit publik.

✅ Siguria dhe barazia sociale – përmes hapësirave të dedikuara për këmbësorë.

✅ Zhvillim urban i qëndrueshëm – në vend të korridoreve të trafikut.

Në fund, kryetari i Prishtinës shprehu vendosmërinë për të vazhduar projektin:

“Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik. Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojnë se koha e bllokadave të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!” /TVARBËRIA