Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Gjykata braziliane pezullon veprimtarinë e rrjetit X në atë shtet

Gjykata braziliane pezullon veprimtarinë e rrjetit X në atë shtet

Gjykata e Lartë e Brazilit urdhëroi të premten pezullimin e rrjetit social X në të gjithë vendin, pasi miliarderi në fushën e teknologjisë dhe pronar i rrjetit, Elon Musk, refuzoi të emëronte një përfaqësues ligjor në atë vend, sipas një vendimi të gjykatës që është parë nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjykatësi Alexandre de Moraes e paralajmëroi zotin Musk të mërkurën se rrjeti X mund të bllokohej në Brazil në rast se ai nuk pranonte të zbatonte urdhrin e tij për të emëruar një përfaqësues dhe vuri një afat prej 24 orësh.

Kompania X nuk ka patur një përfaqësues në vend që në fillim të këtij muaji.

Gjykatësi De Moraes tha se platforma do të jetë e bllokuar deri në zbatimin e vendimit të tij për emërimin e përfaqësusit.

Brazili paraqet një treg të rëndësishëm për rrjetin X, i cili është përballur me humbjen e reklamuesve që kur zoti Musk e bleu platformën në vitin 2022.

Sipas të dhënave të agjencisë “Emarketer” rreth 40 milionë brazilianë ose afërsisht një e pesta e popullsisë, kanë qasje në rrjetin X të paktën një herë në muaj.

Firma X tha përmes një postimi të enjten vonë se priste që rrjeti X të mbyllej nga gjykatësi de Moraes, “vetëm sepse nuk do të zbatonte vendimin e tij të paligjshëm për të censuruar kundërshtarët e tij politikë”.

Kompania X është përplasur me gjykatësin De Moraes pasi nuk ka pranuar të respektojë urdhrat për bllokimin e përdoruesve.

Disa nga llogaritë që platforma i ka mbyllur më parë me urdhër të Brazilit përfshijnë ligjvënës të lidhur me partinë e krahut të djathtë të ish Presidentit Jair Bolsonaro dhe aktivistë që janë akuzuar se kanë minuar demokracinë amerikane.

Zori Musk, ka pohuar vazhdimisht se veprimet e drejtësisë braziliane përbëjnë censurë. /VOA

Powered by WordPress